Deklaratat ironike kanë shkaktuar një stuhi politike në Itali dhe tensione të reja mes Romës dhe Uashingtonit. Kryeministrja italiane përgështroi pretendimin e Trump, ndërsa zyrtarë të lartë italianë i cilësuan fjalët si fyese për gjithë vendin.
Një përplasje e fortë diplomatike ka shpërthyer mes Shteteve të Bashkuara dhe Italisë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Pas samitit të G7, Trump deklaroi në një intervistë për televizionin italian La7 se Meloni kishte kërkuar me ngulm të fotografohej me të gjatë takimit të tyre.
“Ajo m’u lut të bënim një fotografi së bashku. E donte aq shumë atë fotografi. Mund edhe të mos e kisha bërë, por më erdhi keq për të”, u shpreh presidenti amerikan, duke shtuar se nuk ishte i detyruar të fliste me kryeministren italiane.
Deklaratat shkaktuan reagim të menjëhershëm nga Meloni, e cila i mohoi kategorikisht pretendimet e Trumpit. Kryeministrja italiane tha se ishte e habitur nga mënyra se si presidenti amerikan po sillej me aleatët e tij dhe theksoi se Italia nuk i lutet askujt.
“Jam e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij. Një gjë duhet ta ketë të qartë: unë dhe Italia nuk i lutemi kurrë askujt”, deklaroi Meloni.
Polemika mori shpejt përmasa më të gjera politike në Itali. Ministri i Jashtëm dhe zv.kryeministri Antonio Tajani anuloi një vizitë të planifikuar në Miami më 21 dhe 22 qershor, duke i cilësuar komentet e Trumpit si “serioze” dhe “fyese” jo vetëm ndaj kryeministres, por ndaj gjithë Italisë.
Reagime të forta erdhën edhe nga figura të ndryshme të spektrit politik italian. Lideri i partisë Azione, Carlo Calenda, e cilësoi Trumpin një “gënjeshtar të përsëritur dhe bullizues politik”, ndërsa senatori i Partisë Demokratike, Filippo Sensi, i quajti deklaratat e presidentit amerikan të papranueshme.
Edhe ish-kryeministri Giuseppe Conte shprehu solidaritet me Melonin, duke deklaruar se Italia nuk meriton të poshtërohet publikisht nga një aleat. Sipas tij, respekti ndaj institucioneve italiane duhet të qëndrojë mbi çdo interes politik.
Ndërkohë, Nicola Fratoianni nga Aleanca e Gjelbër dhe e Majtë kritikoi ashpër situatën, ndërsa nënsekretari i Presidencës së Këshillit, Giovanbattista Fazzolari, foli për “deliret e Trumpit”, duke e akuzuar presidentin amerikan se po dëmton marrëdhëniet historike mes SHBA-së dhe Europës.
Pavarësisht se vetëm një ditë më parë Meloni kishte deklaruar se marrëdhënia e saj me Trumpin mbetej e pandryshuar dhe se mes tyre nuk kishte pasur përplasje gjatë samitit të G7, deklaratat e presidentit amerikan kanë hapur një kapitull të ri tensionesh diplomatike, duke vënë në provë raportet mes dy vendeve aleate.









