Viktimat, Jonida Dajlani, 9 vjeç dhe Adelajda Misha 11 vjeç nga Fushë Kruja, janë mbytur teksa ndodheshin në një plazh publik të pamenaxhuar nga bashkia.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në bregdetin e Tales në Lezhë, ku dy vajza të mitura kanë humbur jetën pasi janë mbytur në det. Pas kërkimeve për disa minuta të familjarëve por dhe pushuesve të tjerë, trupat e tyre janë konstatuar pas shenja jeta në breg, disa metra më larg vendit ku kishin hyrë për t’u larë.
Vajzat e mitura i përkasin komunitetit rom. Ato kishin shkuar për të bërë disa orë plazh bashkë me familjet por pushimet u kthyen në tragjedi. Vendi ku po qëndronin është një plazh i pamenaxhuar nga bashkia, që nuk ka çadra, shezlongë dhe as sinjalistikë.
Një kullë vrojtimi është e braktisur dhe ka mbetur si relike nga vitet e kaluara. Për ngjarjen tragjike ka reaguar kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu i cili shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia.
“Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment”, thekson Ndreu. Kjo është ngjarja e dytë tragjike që shënohet brenda muajit, duke e çuar në 4 numrin e të mbyturve në det.
Më 4 qershor, tek Rana e Hedhun, u mbytën Leonit Aliu, 22 vjeç nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Binaku, 23 vjeç nga Prishtina. Ata ishin pjesë e stafit organizativ të Festivalit Ndërkombëtar “Unum”.









