Faza e re e protestave: Qytetarët e gdhijnë para Kryeministrisë

Facebook
WhatsApp

Pas marshimit të 21-të në Tiranë, qindra protestues vendosën të mos largohen nga bulevardi përballë Kryeministrisë, ndërsa diasporës shqiptare iu bashkua thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike.

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në një fazë të re, pasi për herë të parë që nga nisja e saj, qindra protestues vendosën të kalojnë natën para godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Mëngjesi i kësaj të diele i gjeti ende në bulevard, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, duke dhënë një sinjal të qartë se mobilizimi i tyre nuk do të ndalet pa u plotësuar kërkesat e shpallura.

Marshimi i 21-të i protestës nisi si zakonisht nga Sheshi “Skënderbej” dhe u drejtua drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndryshe nga ditët e mëparshme, protestuesit vendosën të mos shpërndaheshin, por të qëndronin para Kryeministrisë gjatë gjithë natës. Në bulevard u dëgjuan vazhdimisht thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg” dhe “Je i rrethuar”.

Një rol të rëndësishëm në këtë mobilizim pati edhe diaspora shqiptare. Qytetarë të ardhur nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Greqia dhe vende të tjera iu bashkuan protestës në Tiranë, pas një autokolone që përshkoi disa kryeqytete europiane, përfshirë Londrën, Parisin dhe Berlinin. Protestuesit deklaruan se qëllimi i tyre është ndërtimi i një “Shqipërie të Re”, duke kërkuar largimin e klasës aktuale politike, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e Sali Berishës nga politika, si dhe ndryshime në ligjin për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Ndërkohë, paraditen e sotme u regjistruan edhe momente tensioni, pasi protestuesit vendosën një çadër në bulevard për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta. Forcat e Policisë kërkuan largimin e saj, por pas kundërshtimeve dhe diskutimeve me qytetarët u tërhoqën, duke lejuar që çadra të mbetej në vend.

Pavarësisht tensioneve sporadike, protesta ka vijuar pa incidente të rënda. Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë qëndrimin para Kryeministrisë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen pa u realizuar kërkesat e tyre.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick