Një 71-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga një motor në Divjakë, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar nga policia. Ndërkohë, në dalje të Elbasanit një automjet u përfshi nga flakët pas përplasjes me një furgon, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në fshatin Cermë-Proshkë të Divjakës. Sipas informacioneve paraprake, një grua rreth 71 vjeçe, Ike Dervishi është përplasur nga një motor teksa po kalonte në rrugë.
Si pasojë e plagëve të marra, ajo është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve dhe ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, drejtuesi i motorit, një i ri rreth 24 vjeç, Leandro Xhillari është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Një aksident tjetër rrugor është regjistruar këtë të hënë në dalje të Elbasanit, ku një automjet është përplasur me një furgon pasagjerësh dhe më pas është përfshirë nga flakët. Sipas informacioneve paraprake, përplasja mes dy mjeteve ka qenë e fortë.
Menjëherë pas aksidentit, automjeti ka shpërthyer në flakë, duke shkaktuar momente paniku për drejtuesit dhe personat që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar në asnjërin prej mjeteve, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.









