Protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit u prezantua platforma me pesë kërkesat kryesore, ndërsa u paralajmëruan edhe protesta të tjera në ditët në vijim.
Dita e 23-të e protestës qytetare nisi pasditen e sote me grumbullimin e protestuesve në sheshin “Skënderbej”, ku janë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Pas tubimit në shesh, qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe mesazhe kundër politikave qeveritare.
Aktivistja Luçiana Kola deklaroi para nisjes së protestës se një pjesë e qytetarëve kanë vendosur të qëndrojnë 24 orë në shesh, ndërsa paralajmëroi se gjatë ditës do të bëhet publike një deklaratë zyrtare mbi vijimësinë e lëvizjes.
Gjatë protestës, organizatorët prezantuan platformën zyrtare me pesë kërkesat kryesore drejtuar qeverisë. Në emër të grupeve organizatore, Dritan Goxhaj bëri të ditur se kërkesat janë rezultat i konsultimeve të zhvilluara gjatë 22 ditëve të fundit dhe konsiderohen të panegociueshme.
Pesë kërkesat e protestuesve
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.
Ndërkohë, protestuesit kanë bërë thirrje për një mobilizim më të madh në ditët në vijim. Për nesër, në orën 10:00, është paralajmëruar një protestë para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të sindikatave, minatorë dhe qytetarë të ndryshëm në shenjë solidariteti me kauzën e ngritur.
Gjatë fjalimeve në shesh, disa pjesëmarrës kërkuan gjithashtu angazhimin e institucioneve të drejtësisë për hetimin e zyrtarëve të lartë. Një qytetar iu drejtua publikisht SPAK-ut, duke kërkuar hetime ndaj kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa theksoi se protesta nuk përfaqëson parti politike, por një reagim qytetar ndaj situatës në vend.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre do të mbeten të pandryshuara deri në realizimin e tyre.









