Një aksident i rëndë rrugor u regjistrua rreth mesnatës në superstradën Laç-Lezhë. Nga përplasja e dy automjeteve mbetën të plagosur katër persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një aksident rrugor është regjistruar rreth mesnatës së të mërkurës pranë Urës së Milotit, në superstradën Laç–Lezhë. Në përplasje janë përfshirë dy automjete, një Volkswagen dhe një Audi, duke lënë të plagosur katër persona.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi në këtë segment rrugor u bllokua për më shumë se 30 minuta, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe vështirësi në lëvizje.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për menaxhimin e situatës dhe normalizimin e trafikut. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti.
Një aksident tjetër rrugor është regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin kombëtar Librazhd–Qafë Thanë. Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:45, në zonën e njohur si “Kthesat e Qafë-Thanës”, një kamion i tonazhit të rëndë ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u rrokullisur disa metra poshtë saj.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e emergjencës dhe forcat e policisë, të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe kryerjen e veprimeve procedurale. Deri në këto momente nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e drejtuesit të mjetit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar si pasojë e aksidentit.
Autoritetet po hetojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të kamionit në një prej segmenteve më problematike të këtij aksi rrugor.









