Dita e 26-të/Qytetarët: Qeveria në panik, synon të na përçajë

Facebook
WhatsApp

Thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës. Organizatorët paralajmërojnë mobilizim më të madh të shtunën dhe më 4 korrik me pjesëmarrjen e diasporës.

Mijëra qytetarë iu bashkuan edhe këtë të enjte marshimit drejt Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 26-të radhazi të protestave në Tiranë. Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e tubimeve deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej, për t’u nisur më pas në marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë itinerarit në rrugët e kryeqytetit, protestuesit artikuluan vazhdimisht slogane kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Mes thirrjeve më të dëgjuara ishin: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”, “Ju erdhi fundi, poshtë diktatura”, si dhe “Edi Rama, o legen, prite popullin se po vjen”. Pjesëmarrësit mbanin gjithashtu pankarta me mesazhe kritike ndaj qeverisë, duke ironizuar deklaratat për integrimin europian me sloganin: “Nuk shkohet në Europë me hajdutë!”.

Mesazhe të tjera iu drejtuan drejtpërdrejt kryeministrit, ku protestuesit shpreheshin se integrimi europian nuk mund të realizohet me praktika që, sipas tyre, cenojnë standardet demokratike. Po ashtu, nuk munguan edhe pankartat ironizuese ndaj postimeve të fundit të Ramës në rrjetet sociale.

Tubimi u monitorua nga forca të shumta të Policisë së Shtetit, të vendosura përgjatë itinerarit për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe menaxhimin e qarkullimit rrugor.

Gjatë fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit ritheksuan kërkesën për largimin e kreut të qeverisë. Një prej qytetarëve që mori fjalën deklaroi se protesta ka fituar tashmë vëmendje edhe jashtë vendit, duke pretenduar se çështjet e ngritura nga protestuesit janë bërë të njohura në arenën ndërkombëtare.

“Po përpiqen të shpikin çdo skenar për t’iu shmangur të vërtetës dhe kërkesave që prej 25 ditësh po artikulohen në këtë shesh. Mobilizimi ka qenë i jashtëzakonshëm në Shqipëri, Europë dhe më gjerë”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim. Ata kanë paralajmëruar një mobilizim më të madh për ditën e shtunë, ndërsa një tjetër protestë masive është njoftuar për më 4 korrik, ku pritet t’u bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick