Protesta e përditshme hyn në javën e katërt, ndërsa organizatorët po bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën mbarëkombëtare që do të mbahet nesër në Tiranë. Sipas tyre, tubimit pritet t’i bashkohen edhe qindra shqiptarë të diasporës, në atë që cilësohet si mobilizimi më i madh qytetar i javëve të fundit.
Protesta qytetare për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë ka hyrë sot në ditën e saj të 27-të, me mijëra qytetarë të mbledhur në qendër të Tiranës. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestues nga qytete të ndryshme të vendit u drejtuan fillimisht drejt godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e asaj që ata e cilësojnë si “kastën e vjetër politike”.
Në tubim morën pjesë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, mes tyre edhe prindër të shoqëruar nga fëmijët e tyre. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit marshuan në rrugët e kryeqytetit duke artikuluar thirrje kundër qeverisë.
Gjatë marshimit u dëgjuan sloganet “Poshtë diktatura”, “Dorëheqje Rama” dhe “Revolucion, Shqipëri e re”, të cilat shprehën kërkesat dhe qëndrimin e protestuesve ndaj qeverisë.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte shpalosja e një banderole të madhe me mbishkrimin “Çështja Çame kërkon veprim”, ndërsa në protestë u bashkua edhe një qytetar nga Kosova.
“Si në Kosovë, si në Shqipëri, gjithë shqiptarë jemi. Kur ka parregullsi, reagojmë të gjithë”, u shpreh ai, duke theksuar solidaritetin mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Ashtu si në protestat e mëparshme, edhe këtë herë pankartat përcollën mesazhe të forta politike dhe qytetare. Protestuesit mbanin në duar parulla si: “35 vite pushtet, 3 emra, 1 fat: Llogaridhënie”, “Europa mbështet demokracinë, jo korrupsionin”, “Shqipëria nuk është në shitje”, “O Ramë, nuk shkohet në Europë si Putini dhe Xi”, “Nuk ju mjaftuan 36 vite në kurrizin e shqiptarëve, zotërinj PUSHT-etarë?” dhe “Rama, Berisha, Balluku – 3 emra, 1 fat: Llogaridhënie”. Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrjet “Poshtë diktatura”, “Dorëheqje Rama” dhe “Revolucion, Shqipëri e re”, ndërsa një tjetër mesazh që tërhoqi vëmendjen ishte banderola me mbishkrimin: “Çështja Çame kërkon veprim”.
Forca të shumta të Policisë së Shtetit ishin të pranishme për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe monitorimin e situatës. Organizatorët deklaruan se protesta e sotme shërben si parapërgatitje për protestën e madhe mbarëkombëtare që do të zhvillohet nesër në Tiranë. Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke njoftuar se në protestë pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, me synimin për ta kthyer tubimin në demonstrimin më të madh qytetar të organizuar deri më tani në kuadër të këtij aksioni protestues.









