Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 32-të, duke ruajtur ritmin e marshimeve të përditshme dhe duke zgjeruar fokusin nga kundërshtimi i një projekti të veçantë drejt kërkesave për ndryshim politik. Organizatorët dhe pjesëmarrësit paralajmërojnë se aksionet do të vijojnë dhe mund të përshkallëzohen me bllokimin e pikave kyçe të kryeqytetit.
Protesta qytetare ka hyrë zyrtarisht në ditën e 32-të, me qindra qytetarë që u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u zhvillua tubimi i radhës kundër qeverisë. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit përsëritën thirrjet që janë bërë tashmë simbol i lëvizjes, si “Rama ik!”, “Rama jep dorëheqjen!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Shqipëri e re!” dhe “Ju erdhi fundi!”.
Edhe pse protesta nisi më shumë se një muaj më parë si reagim ndaj projektit turistik në Zvërnec, organizatorët theksojnë se ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe klasës politike. Sipas tyre, kërkesat nuk lidhen më vetëm me një projekt të caktuar, por me nevojën për ndryshim të sistemit politik dhe garantimin e një shteti funksional.
Tubimi i sotëm u zhvillua vetëm një ditë pas tensioneve para Kuvendit, ku pati përplasje me policinë dhe u shoqëruan disa protestues. Paralelisht, drejtuesit e protestës kanë reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të kabinetit, duke i cilësuar ato si tentativa për intimidim të pjesëmarrësve.
Studentët, të cilët vijojnë të jenë ndër grupet më aktive në protestë, përjashtojnë çdo mundësi dialogu me qeverinë. “Jemi një grup studentësh që nuk kemi kërkesa të veçuara. Nuk ka dialog si në vitin 2018. Kjo situatë zgjidhet vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama”, deklaroi një prej tyre.
Ata morën përsipër edhe aksionin simbolik të vendosjes së stikerve në automjetet e deputetëve, duke argumentuar se ishte një reagim ndaj gjobave të vendosura, sipas tyre, ndaj emigrantëve që kishin ardhur për të marrë pjesë në protestën kombëtare. Një studente e përshkroi “Shqipërinë e re” si një vend pa korrupsion, me drejtësi funksionale, liri shprehjeje dhe mundësi të barabarta për qytetarët.
Ndërkohë, një nga koordinatorët e protestës, Visuar Dalipi, deklaroi se marshimi do të vazhdojë dhe tashmë është kthyer në traditë. Ai paralajmëroi se faza e ardhshme e aksioneve mund të përfshijë bllokimin e pikave kyçe të kryeqytetit, duke theksuar se protesta do të mbetet paqësore.
Dalipi tha gjithashtu se organizatorët kanë marrë kërcënime të drejtpërdrejta dhe në rrjetet sociale, ndërsa shtoi se pjesëmarrja e emigrantëve pritet t’i japë një shtysë të re mobilizimit qytetar në ditët në vijim.









