Joe Wilson thotë se hetimi duhet të trajtojë shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin e qeverisë shqiptare në lehtësimin ose mundësimin e këtij aktiviteti.
Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka propozuar një ligj që kërkon hetim nga strukturat e inteligjencës amerikane mbi lidhjet dhe lehtësimin e mundshëm që qeveria shqiptare, sipas tij, mund t’i ketë bërë trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Nëpërmjet një amendamenti të depozituar në Kongresin Amerikan, Wilson ka kërkuar vënien në lëvizje të agjencive ligjzbatuese për të analizuar situatën, ndërsa propozimi i tij ka kaluar komisionin e rregulloreve dhe komisionin e ligjeve në SHBA. Miratimi përfundimtar pritet në seancë plenare.
Sipas tekstit të amendamentit, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, Sekretari i Shtetit në bashkëpunim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare duhet të paraqesin një raport të klasifikuar për Kongresin Amerikan.
Raporti, sipas propozimit, duhet të trajtojë shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin e qeverisë shqiptare në lehtësimin ose mundësimin e këtij aktiviteti.
Joe Wilson është anëtar i Komisionit të Jashtëm dhe Komisionit të Sigurisë në Kongresin Amerikan dhe bashkëkryetar i Dhomës së Miqësisë Shqipëri–SHBA në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ai njihet gjithashtu si një nga mbështetësit e zgjerimit të NATO-s dhe integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.









