Sipas njoftimit zyrtar, masa “Arrest me burg” është caktuar për shtetasen L.L., “Arrest në shtëpi” për të miturën K.G., ndërsa për të miturën M.R. është vendosur masa “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka kërkuar dhe gjykata ka miratuar masat e sigurisë për tre vajzat e përfshira në ngjarjen e dhunës ndaj një të miture, e cila u bë publike përmes rrjeteve sociale.
Sipas njoftimit zyrtar, masa “Arrest me burg” është caktuar për shtetasen L.L., “Arrest në shtëpi” për të miturën K.G., ndërsa për të miturën M.R. është vendosur masa “Shtrim i përkohshëm në një institucion psikiatrik”.
Tre të dyshuarat po hetohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim.
Prokuroria bën me dije se, gjatë hetimeve të procedimit penal nr. 1094 të vitit 2026, janë mbledhur prova që kanë ngritur dyshimin e arsyeshëm për ekzistencën e kësaj vepre penale. Bazuar në faktet e deritanishme, organi i akuzës ka vlerësuar të nevojshme marrjen e masave të sigurimit personal ndaj personave nën hetim.
Duke qenë se në këtë procedim janë të përfshirë të mitur, Prokuroria u bën thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe mediave të shmangin publikimin e pamjeve apo të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e tyre, në respekt të privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të fëmijëve.
Prokuroria e Fierit thekson se hetimet vijojnë dhe opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejshme, në masën që kjo nuk cenon sekretin hetimor dhe garancitë procedurale të parashikuara nga ligji.









