Qindra qytetarë marshuan në rrugët kryesore të Tiranës pas tubimit para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, ndryshime politike dhe një sistem më demokratik. Gjatë protestës u mbajtën fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e protestave edhe në ditët në vazhdim.
Pas fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët kryesore të kryeqytetit. Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër kryeministrit Edi Rama, kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe gjithë klasës politike, pjesëmarrësit përsëritën sloganet që kanë shoqëruar protestën prej 46 ditësh, si “Rama ik!”, “Berisha ik!”, “Ikni të gjithë!” dhe “Poshtë kasta politike!”.
Organizatorët ritheksuan kërkesat për dorëheqjen e qeverisë, ndryshimin e sistemit politik dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese. Pas marshimit, protestuesit u rikthyen para Kryeministrisë, duke njoftuar se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Në tubim foli edhe Afërdita Bërdufi, shqiptare që jeton në Frankfurt, e cila u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos lejojnë që bindjet politike t’i përçajnë. Ajo tha se ishte larguar nga Shqipëria për mungesë mundësish për një jetë dinjitoze dhe demokratike, ndërsa shprehu mbështetjen e grupit të shqiptarëve nga Frankfurti për protestën.
Bërdufi theksoi se prioritet duhet të jetë ndryshimi i qeverisjes dhe më pas ndërtimi i një sistemi me konkurrencë të lirë politike. Sipas saj, vetëm uniteti i qytetarëve mund të sjellë ndryshim, duke e cilësuar situatën aktuale si një moment historik për vendin.
Gjatë protestës u lexua edhe një deklaratë mbështetëse e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), e cila shprehu solidaritet me protestuesit dhe vlerësoi demonstratat si paqësore. Në deklaratë thuhej se organizata mbështet sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë demokratike.
Një tjetër fjalim u mbajt nga anëtari i Grupit Koordinues, Përparim Gjeka, i cili paraqiti propozime për administrimin e pronave në bregdet. Ai kërkoi një proces të pavarur verifikimi për të gjitha pronat përgjatë vijës bregdetare, nga Saranda në Shkodër, duke argumentuar se çdo pronë e përfituar në kundërshtim me ligjin duhet t’i rikthehet interesit publik.
Gjeka propozoi gjithashtu krijimin e një fondi kombëtar për menaxhimin e pasurive bregdetare, që sipas tij duhet të garantojë transparencë, planifikim urbanistik dhe mbrojtjen e zonave natyrore, duke krijuar njëkohësisht mundësi edhe për investimet e diasporës.
Nga podiumi foli edhe aktivisti Arben Kola, i cili sqaroi kuptimin e sloganit “Shqipëria e re”, duke e lidhur atë me veprën e rilindësve “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?”. Ai mohoi zërat se ishte larguar nga protesta, duke theksuar se ka qenë i pranishëm çdo ditë dhe se synimi mbetet ndërtimi i një Shqipërie të lirë dhe demokratike.
Gjatë tubimit pati edhe akuza ndaj qeverisë dhe opozitës. Disa protestues kritikuan sistemin e patronazhimit, ndërsa të tjerë akuzuan si Edi Ramën ashtu edhe Sali Berishën për përgjegjësi në gjendjen e vendit. Në fjalimet e tyre u theksua se institucionet shtetërore u përkasin qytetarëve dhe jo partive politike.
Në protestë foli edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila rikujtoi ngjarjen e 46 ditëve më parë, kur një protestues kundër një ndërtimi në zonat e mbrojtura u shoqërua me forcë nga policia, duke e cilësuar atë moment si pikënisjen e revoltës qytetare.
Vatnikaj kërkoi edhe një herë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, propozoi kufizimin e mandateve të kryeministrit në dy dhe akuzoi qeverinë për favorizimin e një sistemi oligarkik dhe privatizimin e pasurive publike. Ajo deklaroi se protesta do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj për ndryshime politike dhe institucionale.









