Ish-numri dy i qeverisë është duke u hetuar për korrupsion dhe pastrim parash, si edhe është e pandehur për abuzime me tenderët e rrugëve.
Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga avokatët e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra të vendosur më herët nga GJKKO me kërkesë të SPAK.
Mbrojtja e Ballukut kishte kundërshtuar ligjshmërinë e masës, duke kërkuar shfuqizimin e saj, por Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin.
Belinda Balluku është nën hetim nga SPAK për disa çështje, përfshirë procedurat e tenderimit dhe hetimin për tunelin e Llogarasë. Ajo gjithashtu përballet me akuza të lidhura me pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë, në lidhje me një vilë në zonën e Dhërmiut, për të cilën prokuroria dyshon se mund të jetë në pronësi të saj, por e regjistruar në emra të tjerë.
Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës mbetet në fuqi deri në një vendimmarrje tjetër të organeve të drejtësisë.









