Dita 48\Protesta zhvendoset para Kuvendit më 23 korrik

Facebook
WhatsApp

Protesta qytetare u mbajt sot për të 48-ën ditë radhazi para Kryeministrisë, ku organizatorët njoftuan ndryshimin e vendit dhe orarit të tubimit të ardhshëm. Më 23 korrik protestuesit do të mblidhen paradite përpara Kuvendit, gjatë seancës së fundit plenare, ku ironizuan se do t’u urojnë deputetëve “pushime të mbara”.

Protestuesit kanë vendosur që tubimi i radhës të zhvillohet paraditen e së enjtes, më 23 korrik, përpara Kuvendit të Shqipërisë. Organizatorët synojnë të jenë të pranishëm gjatë seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, duke e konsideruar këtë moment më efektiv për të përcjellë mesazhin e tyre.

Protesta qytetare, e cila prej javësh zhvillohet çdo ditë përpara godinës së Kryeministrisë, do të ndryshojë vendndodhje dhe orar në datën 23 korrik. Nga podiumi i protestës, organizatorët njoftuan se tubimi nuk do të mbahet në orët e pasdites, si zakonisht, por paradite, në të njëjtën kohë kur deputetët do të mblidhen në seancën e fundit plenare përpara ndërprerjes së punimeve të Kuvendit për pushimet verore.

Sipas organizatorëve, prania e protestuesve gjatë zhvillimit të seancës parlamentare do ta bëjë protestën më të dukshme dhe më efektive, pasi deputetët do të jenë të pranishëm në Kuvend.

Një prej të rinjve që mori fjalën gjatë tubimit sqaroi se vendimi për ndryshimin e orarit është marrë pas konsultimeve me pjesëmarrësit në protestë. Ai tha se organizimi i protestave çdo ditë paradite nuk ishte i realizueshëm, ndaj u propozua që të paktën në ditën e fundit të seancave plenare qytetarët të mblidhen përpara Parlamentit.

“Doja të sqaroja thirrjen për datën 23 korrik. Është shumë e rëndësishme prezenca jonë gjatë ditës, pasi kemi efikasitet më të lartë me praninë tonë. Nuk ishte e mundur të dilnim çdo ditë paradite, ndaj propozova që ta bënim këtë vetëm për një ditë. Përgjigjja që mora në sondazh ishte pozitive vetëm për këtë datë. Është seanca e fundit atë ditë dhe ne do t’u urojmë deputetëve pushime të mbara”, u shpreh ai.

Protestuesit theksuan se synojnë të rikthehen përpara Parlamentit për të përcjellë kërkesat e tyre drejtpërdrejt ndaj përfaqësuesve politikë, në një nga seancat më të rëndësishme të këtij sesioni. Ata vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe zbatimin e pesë kërkesave të shpallura që në nisje të lëvizjes qytetare.

Kjo nuk është hera e parë që protesta zhvendoset përpara Kuvendit. Më 2 korrik, gjatë një tjetër seance plenare, protestuesit u mblodhën jashtë godinës së Parlamentit, ku pati tensione dhe përplasje me forcat e policisë. Pas incidenteve të asaj dite, policia arrestoi 23 persona.

Me protestën e paralajmëruar për 23 korrikun, organizatorët synojnë të ushtrojnë sërish presion ndaj institucioneve në ditën e fundit të punimeve parlamentare, përpara se deputetët të nisin pushimet verore.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick