Viktima u zbulua në orët e para të mëngjesit në një zonë të izoluar në Eboli, në provincën e Salernos, pasi zjarrfikësit ndërhynë për të shuar një zjarr në shkurre.
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Italinë, ku është gjetur i pajetë dhe i djegur trupi i gazetarit 53-vjeçar Luigi Esposito, i njohur si Luca Esposito. Trupi u zbulua në orët e para të mëngjesit në një zonë të izoluar në Eboli, në provincën e Salernos, pasi zjarrfikësit ndërhynë për të shuar një zjarr në shkurre.
Alarmi u dha rreth orës 03:30, pasi një zjarr në shkurre në një zonë të fshehur nga rruga kryesore. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit për të shuar flakët dhe karabinierët për të siguruar zonën. Pas fikjes së zjarrit, u zbulua trupi i një burri, i djegur pothuajse plotësisht.
Identifikimi i viktimës u bë pas disa orësh. Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, në trupin e Luca Espositos u konstatua një plagë e shkaktuar nga armë zjarri. Pranë trupit u gjet edhe një gëzhojë, duke forcuar dyshimet se 53-vjeçari ishte ekzekutuar fillimisht dhe më pas autorët i kishin vënë flakën trupit për të fshehur gjurmët e krimit.
Luigi Esposito ishte me origjinë nga Nocera Inferiore dhe punonte në ARPAC, Agjencinë Rajonale të Kampanjës për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjatë karrierës së tij kishte shërbyer në Avellino dhe Caserta, ku merrej kryesisht me kontrollet mjedisore në fermat e buajve.
Përveç profesionit si biolog, ai ishte i diplomuar edhe në Letërsi dhe prej vitit 2012 ushtronte aktivitet si gazetar i pavarur. Esposito drejtonte portalin sportiv “Tutto Salernitana” dhe bashkëpunonte edhe me kanalin televiziv Otto Channel.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e kësaj vrasjeje









