Spanja kampione e botës për herë të dytë! Ferran Torres vendos finalen ndaj Argjentinës në shtesë, bie mbretërimi i Mesit. Trajneri spanjoll Luis de La Fuente tha se “mund ta kishim fituar ndeshjen më herët”, ndërsa ai argjentinas e pranoi se finalja u fitua nga skuadra më e mirë.
Spanja është kampionia e re e Botës. Iberikët triumfuan 1-0 ndaj Argjentinës në finalen spektakolare të zhvilluar në “MetLife Stadium”, duke e zgjidhur sfidën vetëm pas 120 minutash lojë.
Skuadra e Luis de la Fuente e nisi ndeshjen më mirë dhe krijoi rastin e parë të rrezikshëm që në minutën e pestë. Lamin Jamal provoi pas asistit të Dani Olmos, por goditja e tij u devijua nga Lisandro Martínez dhe u ndal nga portieri Emiliano Martínez.
Vetëm një minutë më vonë reagoi Argjentina me një kundërsulm të shpejtë. Lionel Mesi depërtoi mes mbrojtësve spanjollë, por Unai Simon doli në kohë nga porta dhe neutralizoi rrezikun. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Edhe në startin e pjesës së dytë Spanja ishte më kërkuese. Aleks Baena provoi fatin në minutën e 46-të, por Emiliano Martinez ishte sërish i vëmendshëm.
Fundi i kohës së rregullt ishte plot emocione. Niko Uilliams iu afrua golit, por portieri argjentinas bëri një tjetër pritje vendimtare. Më pas Argjentina mbeti me 10 lojtarë, pasi Enzo Fernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje të ashpër ndaj Pau Kubarsi. Në minutën e fundit shtesë të kohës së rregullt, Lamin Jamal provoi nga goditja e dënimit, por Martínez realizoi një tjetër pritje spektakolare.
Pavarësisht dominimit të spanjollëve, 90 minutat përfunduan në barazim 0-0 dhe fituesi u përcaktua në dy pjesët shtesë.
Spanja vazhdoi të ushtronte presion edhe në kohën shtesë. Në minutën e 93-të, Niko Uilliams rrezikoi me kokë, por Emiliano Martinez ishte sërish vendimtar. Tre minuta më vonë, Uilliams dërgoi topin në rrjetë, por arbitri e anuloi golin për një faull të Mikel Merinos ndaj Nikolas Otamendit gjatë aksionit.
Pjesa e parë e shtesës u mbyll pa gola, ndërsa në fillimin e 15 minutave të fundit erdhi momenti që vendosi finalen. Pas një krosimi në zonë dhe asistit të Niko Uilliams, Ferran Torres shënoi golin e vetëm të ndeshjes.
Me këtë sukses, Spanja fiton Kupën e dytë të Botës në historinë e saj, pas triumfit të vitit 2010, ndërsa Argjentina nuk arrin të mbrojë titullin e fituar katër vite më parë.
Ferran Torres hyn në historinë e futbollit spanjoll si autori i golit që riktheu “La Roja” në majën e botës.
Pas finales, Luis de la Fuente komentoi fitoren e tij në Kupën e Botës 2026 si trajner i Spanjës:
“Jam shumë krenar për këtë brez lojtarësh. Ata u rritën me një vizion të qartë të lojës dhe e kanë përmirësuar më tej atë me kalimin e kohës. Ata janë jashtëzakonisht të talentuar dhe jam krenar që i kam shoqëruar në këtë udhëtim.”
Trajneri spanjol shtoi: “Këta lojtarë janë një shembull për sportin spanjol, për të rinjtë dhe për të gjithë Spanjën. Së bashku jemi më të fortë dhe nuk do ta harrojmë kurrë.”
Lidhur me ndeshjen, De la Fuente vlerësoi të gjitha rastet e krijuara: “Ndeshja duhej të ishte vendosur shumë më herët; portieri kundërshtar bëri kaq shumë pritje.
Por kjo është një finale e Kupës së Botës dhe madje edhe kundër një skuadre me dhjetë lojtarë, është e qartë se na është dashur të luftojmë. Ne treguam se ishim gati për çdo gjë.”
Ndërkohë Lionel Scaloni, trajneri i Argjentinës, u shpreh:”Mund të themi shumë për mënyrën se si arritëm deri këtu, por nuk ia vlen. Falënderime të përjetshme këtyre lojtarëve që na kanë çuar përsëri në finale.
Ata (spanjollët) ishin më të mirë, kjo është e vërtetë, por unë do ta ruaj kujtimin e asaj që arritën lojtarët e mi. Ne jemi të shkëlqyer në fitore dhe duhet të jemi të shkëlqyer edhe në humbje. Sonte treguam se dimë të humbasim. Humbëm dhe e pranojmë këtë”.









