Abderrahim Fakir kishte mbërritur në Itali nga Maroku me familjen e tij, kur ishte 7 vjeç. Vëllai dhe motra e burrit kanë raportuar se ai kishte probleme shëndetësore.
Abderrahim Fakir ishte 43 vjeç dhe kishte origjinë marokene. Kishte mbërritur në Itali që kur ishte i vogël. Jetonte në Borgonuovo dhe punonte në një kompani ngarkim-shkarkimi, e angazhuar në logjistikë.
Vëllai dhe motra e burrit raportuan se ai kishte probleme shëndetësore. Ai vdiq më 19 korrik në Bolonjë, gjatë një ndalimi nga Policia: në një video shihen dy agjentë që e bllokojnë me fytyrë përtokë.
Në një pamje filmike dëgjohen britmat “ndihmë, mjaft, mjaft”.
“Pamjet e kamerave të trupit të agjentëve në dispozicion të prokurorëve”
“Ndihmë, mjaft, mjaft”. Janë fiksuar në një video britmat e Abderrahim Fakir, burrit që vdiq në Pilastro të Bolonjës pasi u ndalua nga Policia më 19 korrik. Në pamje shihen dy agjentë që bllokojnë 43-vjeçarin me origjinë marokene me fytyrë përtokë, duke i çuar duart pas shpine në një përpjekje për ta prangosur.
Një burrë i tretë, me gjasë një banor i zonës, ndihmon agjentët duke i mbajtur kyçet e këmbëve. Rreth tyre ndodhen dy punonjës të ndihmës së shpejtë të cilët nuk ndërhyjnë. Pas disa minutash, burri pushon së përpëlituri, duket se humbet ndjenjat, por ndërkohë ka vdekur.
Domenico Pianese, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë Coisp, sqaron lidhur me ngjarjen: “Duhen shmangur gjyqet e shpejta dhe linçimi në rrjetet sociale: duhet të presim që autoriteti gjyqësor të rindërtojë faktet”. Dhe në këtë drejtim “kamerat e trupit të policëve do të jenë thelbësore: aty gjendet e vërteta objektive dhe jo ajo e manipuluar nga rrjeti. Jemi të sigurt se transparenca e pamjeve do të hedhë dritë mbi ndërhyrjen e policëve të cilët nuk mund të linçohen mediatikisht”. Dje në mbrëmje, për këtë çështje, kuestura e Bolonjës kishte saktësuar tashmë: “Pamjet e kamerave të trupit të policëve që ndërhynë – të cilat regjistruan operacionet – do të vihen menjëherë në dispozicion të autoritetit gjyqësor”.
Kush ishte Abderrahim Fakir
Sipas asaj që ka dalë deri më tani, Abderrahim Fakir ishte 43 vjeç dhe kishte mbërritur në Itali me familjen e tij, kur ishte 7 vjeç. Jetonte në Borgonuovo, në komunën e Sasso Marconi. Punonte në një kompani ngarkim-shkarkimi, e angazhuar në logjistikë. Vëllai dhe motra e burrit kanë raportuar se ai kishte probleme shëndetësore. Autoriteti gjyqësor ka urdhëruar autopsinë për të sqaruar shkaqet e vdekjes.
Çfarë ndodhi në Bolonja
Ajo që ka ndodhur në Bolonjë, në Pilastro, një lagje popullore dhe multietnike, duhet ende të sqarohet, por nga rindërtimet e para të ngjarjes del se, mesditën e djeshme, të dielën, disa banorë të Pilastro-s alarmuan forcat e rendit për praninë e një burri që kishte dalë jashtë kontrollit, në një garazh në rrugën Svevo. Ishte Abderrahim Fakir, i cili kishte mbërritur në Pilastro për të vizituar disa të afërm. Në vendngjarje mbërritën një makinë policie dhe autoambulanca e 118-ës. Agjentët u përpoqën ta qetësonin burrin, i cili megjithatë u lëshua kundër tyre. Një video – e regjistruar nga një prej banorëve – dëshmon momentet kur Fakir u ndalua. Agjentët e bllokuan fillimisht duke përdorur sprajin me piper dhe më pas duke e vendosur me fytyrë përtokë e duke i lidhur kyçet e duarve dhe të këmbëve. Burri gjatë kësaj kohe bërtiste “mjaft, ndihmë”, derisa humbi ndjenjat para syve të agjentëve dhe punonjësve të ndihmës së shpejtë që mbërritën në vendngjarje.
Motra: “E prangosën dhe vdiq”
“Nuk do të gjej paqe derisa për vëllanë tim të merret hak. Nuk do të gjej paqe,” – tha motra e burrit -. “Nuk e dimë çfarë ka ndodhur, e dinë ata, Policia. Ne na erdhi telefonata që ka vdekur. E prangosën dhe vdiq. E sulmuan ata. E vranë dhe e rrahën, ka dëshmitarë”. Të shumtë ishin banorët të cilët, pas ngjarjes, u dyndën në rrugë dhe hodhën parulla kundër Policisë.









