Protestuesit para Kryeministrisë reaguan ndaj deklaratave të Taulant Ballës, duke kërkuar hetim nga SPAK dhe duke theksuar se protesta e tyre është paqësore dhe do të vijojë.
Protesta kundër kryeministrit Edi Rama vijoi edhe në ditën e 54-t, ndërsa në tubimin e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë nuk munguan akuzat ndaj qeverisë dhe reagimet ndaj deklaratave të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Një nga protestuesit, duke marrë fjalën nga podiumi, akuzoi Ballën se ka cenuar Kushtetutën dhe standardet demokratike, pasi, sipas tij, i ka etiketuar protestuesit si “terroristë”. Ai kërkoi që SPAK të nisë menjëherë hetime ndaj deputetit socialist, ndërsa i bëri thirrje edhe Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë mandatin e tij.
“Sa herë pushteti tregon forcë dhe arrogancë, ne vetëm dyfishohemi e trefishohemi në këtë shesh. Është e papranueshme që qytetarët të quhen terroristë vetëm pse protestojnë. Taulant Balla, i ke bërë llogaritë gabim me popullin”, deklaroi ai.
Protestuesi pretendoi se deklaratat e Ballës bien ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke shtuar se askush, pavarësisht funksionit që mban, nuk mund të etiketojë qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore.
Ai kërkoi që SPAK “ose të provojë pretendimet se protestuesit janë terroristë, ose të vendosë Ballën përballë përgjegjësisë ligjore”, ndërsa i bëri thirrje edhe Komisionit Evropian dhe institucioneve shqiptare të reagojnë ndaj deklaratave të deputetit socialist.
Në të njëjtën protestë foli edhe një tjetër qytetar, i cili tha se ishte shoqëruar nga policia gjatë një prej tubimeve të mëparshme. Sipas tij, ndalimet dhe ndërhyrjet e policisë nuk do ta ndalin protestën.
“Pas pesë orësh në paraburgim e kuptova se dhuna nuk mund ta ndalojë shpirtin e këtij revolucioni. Nuk mund të quhemi terroristë kur protestojmë prej 54 ditësh në mënyrë paqësore. Nuk mund të quhesh terrorist sepse proteston me vezë. Një shtet që ka frikë nga një vezë nuk mund të quhet shtet”, u shpreh ai, duke kërkuar gjithashtu lirimin e protestuesve të ndaluar.
Gjatë tubimit u përsërit edhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ata theksuan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre dhe se, sipas tyre, deklaratat e Taulant Ballës kanë forcuar më tej vendosmërinë e protestuesve për të vijuar mobilizimin qytetar.









