Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, njoftoi të mërkurën se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Bujanoc dhe Shkodër. Deklarata u bë gjatë një interviste për Radio Beogradin, pas takimit të tij me Ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas raportimeve për një marrëveshje të pretenduar mes ministrit të Jashtëm të Serbisë dhe homologut shqiptar për hapjen e një Konsullate të Serbisë në Shkodër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati shprehet se shpreson që lajmi i bërë publik nga pala serbe të mos jetë i vërtetë, duke e cilësuar një zhvillim të tillë si të gabuar si në planin strategjik, ashtu edhe në atë taktik.
“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i Jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë. Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, shkruan Bushati.
Sipas tij, një vendim i tillë do të ishte i papërshtatshëm edhe për shkak të klimës aktuale politike në rajon.
“Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, thekson ish-kryediplomati.
Reagimi i Bushatit vjen pasi ministri i Jashtëm i Serbisë deklaroi se është arritur dakordësi me palën shqiptare për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Në një intervistë për “Radio Beogradin”, Gjuriç ka thënë se është i kënaqur me bisedimet që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
“Jam i kënaqur që pata bisedime shumë të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, deklaroi ai.
Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën, përbën rajonin e njohur si Lugina e Preshevës, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve etnikë në Serbi, jashtë Kosovës.
Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Serbi të vitit 2022, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë jetojnë 57.710 shqiptarë me banim të përhershëm, të cilët përbëjnë rreth 71 për qind të popullsisë së këtij rajoni. Megjithatë, përfaqësues politikë dhe organizata shqiptare në Luginë kanë kundërshtuar këto shifra, duke argumentuar se numri real i shqiptarëve është dukshëm më i lartë, pasi mijëra qytetarëve u janë pasivizuar adresat e banimit.
Në anën tjetër, sipas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri të vitit 2023, 584 persona janë deklaruar me përkatësi etnike serbe në Shkodër, ndërsa 511 si malazezë. Këto shifra janë dukshëm më të ulëta krahasuar me numrin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, e cila deri më tani nuk ka pasur një konsullatë shqiptare.
Edhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, që tani është si deputete e pavarur në Kuvendin e Shqipërisë, ka ngritur dyshime të forta lidhur me negociatat e fundit mes Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe homologut të tij serb, Marko Gjuriç.
Në një reagim publik, Koçeku denoncon lajmet e konfirmuara nga mediat serbe për hyrjen në bisedime për hapjen e një konsullate serbe në qytetin e Shkodrës, një lëvizje që ajo e cilëson të pashpjegueshme dhe me prapavijë të qartë gjeopolitike.
Përmes një analize të detajuar, deputetja e Shkodrës vë në dukje mungesën e çdo arsyetimi demografik apo praktik për një hap të tillë, duke akuzuar diplomacinë shqiptare për dritëshkurtësi dhe politika të buta ndaj Beogradit.
Koçeku i drejtohet drejtpërdrejt drejtuesit të diplomacisë shqiptare duke kërkuar llogari urgjente për këtë ujdi të mundshme:
“Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë? Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm z. Hoxha duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë.”
Duke iu referuar Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, Koçeku thekson se hapja e një misioni konsullor bëhet për t’i shërbyer një komuniteti të konsiderueshëm apo shkëmbimeve tregtare. Shifrat zyrtare në terren, sipas saj, nxjerrin lakuriq mungesën e bazës reale për këtë kërkesë.
Më tej, ish-deputetja e PS-së godet qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj deklaratave agresive të Beogradit kundër Kosovës, duke bërë thirrje për ruajtjen e interesit kombëtar dhe linjës euroatlantike.
Reagimi i plotë:
Mediat serbe këto ditë kanë fillu me përhapë nji lajm që shpresoj nuk asht i vërtetë. Ministri i Jashtëm i Shqipnisë, z. Ferit Hoxha, dhe homologu i tij serb, z. Marko Gjuriq, paskan hy në bisedime për hapjen e nji konsullate serbe në Shkodër, mbas kërkesës dhe nevojës së kahershme për hapjen e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ku gjysma e popullsisë atje asht shqiptare.
Këtë e ka konfirmu vetë ministri serb për mediat, tue deklaru se, në parim, palët kanë ra dakord për këtë projekt diplomatik. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Ambasadës Shqiptare në Beograd përmendet vetëm hapja e konsullatës shqiptare në Bujanoc, ndërsa nuk ka asnji referencë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.
Që të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc ka shumë arsye dhe asht e nevojshme, por hapja e nji konsullate serbe në Shkodër asht e çuditshme.
Çfarë kërkon konsullata serbe pikërisht në Shkodër? Kujt i shërben ajo konsullatë? Këtyne dhe shumë pyetjeve të tjera ministri jonë i jashtëm z. Hoxha duhet me iu dhanë përgjigje sa ma parë, nëse ky lajm asht i vërtetë.
Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe praktikës ndërkombëtare, hapja e konsullatave lidhet zakonisht me ekzistencën e nji komuniteti të konsiderueshëm të shtetasve të shtetit dërgues, me interesa të rëndësishme ekonomike, tregtare apo kulturore, si edhe me nevojën për ofrimin e shërbimeve konsullore, për shkak të fluksit të udhëtimeve apo shkëmbimeve. Në rastin e Shkodrës, të paktën në të dhanat publike, këto elemente nuk rezultojnë me qenë të pranishme në përmasa që me e justifiku hapjen e nji konsullate serbe.
Në censusin e vitit 2023, në tanë qarkun e Shkodrës rezultojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruem si serbë, ndërsa 106 janë të deklaruem si malazezë. Po ashtu, 90 janë të deklaruem boshnjakë, 20 maqedonas dhe 26 bullgarë. Në total, në tanë qarkun e Shkodres janë 296 persona të komuniteteve sllavishtfolëse, ma pak se 0.2% e popullsisë, prej të cilëve vetëm 54 janë serbë.
Kjo don me thanë se hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk bazohet aspak në nevoja reale të komunitetit. Përkundrazi, e ban krejt të arsyeshëm dyshimin se kena të bajmë me nji lëvizje me interes gjeopolitik nga ana e Serbisë.
Megjithatë, para se me ndërmarrë hapa të tillë, Serbia ka ende çështje të rëndësishme të pazgjidhuna me Kosovën, sidomos në dritën e deklaratës së fundit të ministres serbe Paunoviq kundër Kosovës, e cila ngjalli reagime dhe shqetësim. Do kishte qenë e udhës që edhe autoritetet shqiptare të kishin mbajtë nji qëndrim ma të fortë. Por kjo nuk ka ndodhë dhe më bajnë jashtë mase përshtypje politikat e buta kundrejt Serbisë.
Përvoja historike na ka mësu se çdo zhvillim në marrëdhëniet me Serbinë duhet me u trajtu me kujdes dhe me vlerësim të plotë të pasojave. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndërmarrje e tillë diplomatike meriton transparencë, debat publik dhe nji analizë të kujdesshme në funksion të interesit kombëtar.
Hapja e nji konsullate serbe në Shkodër nuk kishte me u shërby aspak interesave të shqiptarëve, por vetëm interesave të Serbisë, tue ia forcu edhe ma tej pozitat në rajon. Kjo nuk asht në përputhje as me interesat tona kombëtare, as me aspiratat euroatlantike të Shqipnisë.
Serbia nuk mund të konsiderohet nji partnere e afërt politike përderisa vazhdon me mbajtë qëndrime dhe me ndjekë politika që shpesh bien ndesh me interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës. Prandaj, Shqipnia duhet me e trajtu me kujdes çdo hap që mundet me ndiku në balancat politike të rajonit, tue u udhëheqë gjithmonë nga interesi kombëtar, mbështetja për Kosovën dhe aspiratat tona identitare për të ardhmen.









