Në konferencë për mediat, Berisha foli edhe për arrestimin e Ermal Beqirit në Francë, duke thënë se kjo dëshmon rrezikshmërinë e madhe që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Evropën.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët këtë të enjte është pyetur për zgjatjen e hetimeve dhe nëse SPAK do të kërkojë sërish heqjen e imunitetit për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Berisha me ironi deklaroi se “qytetari dixhital” e ka informuar se në SPAK po ndërtohet një mini-maternitet. “Nuk e di sa është e vërtetë, por qytetari dixhital më njofton se kanë filluar ndërtimin e një mini-materniteti në SPAK. Kur të shkoj herën e fundit do të bëj inspektimin dhe ta verifikoj a është e vërtetë, pastaj do t’i përgjigjem pyetjes tuaj”- deklaroi kryedemokrati.
Në konferencë për mediat, Berisha foli edhe për arrestimin e Ermal Beqirit në Francë, duke thënë se kjo dëshmon rrezikshmërinë e madhe që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Evropën.
Berisha deklaroi se më 24 prill 2026 kishte denoncuar publikisht se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri nuk ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndonëse urdhër-arresti ndaj tyre mbante datën 25 dhjetor 2025.
Sipas Berishës, gjatë kësaj periudhe Ergys Agasi ka blerë dy avionë privatë në Austri dhe ka regjistruar njërin prej tyre, si edhe biznesin e tij, në Slloveni. Ai pretendoi gjithashtu se gjatë këtyre muajve janë dokumentuar fluturime të avionëve në hapësirën e vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Ergys Agasi për muaj të tërë nuk u shpall në kërkim dhe këtu para jush, me 24 prill të vitit 2026, kam denoncuar se Agasi dhe Beqiri nuk janë në kërkim ndërkombëtar. E vërteta është se në muajin prill, Agasi ka blerë dy avionë personalë në Austri. Blerja e të cilëve kërkon autorizime të disa institucioneve të Austrisë, vend me një shtet ligjor ndër më të konsoliduarit. Jo vetëm që ka blerë avionët në Austri, por ai në qershor ka regjistruar në Slloveni, njërin nga këta avionë dhe biznesin e tij.
Ndërkohë gjatë këtyre muajve, janë të vërtetuara një seri fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe vendeve të BE. Pra, me 24 prill ne denoncuam këtu se Agasi dhe Ermal Beqirin nuk janë në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që urdhër-arresti për ta ishte i datës 25 dhjetor 2025. Pra, edhe katër muaj më vonë, këta nuk ishin. Agasi është i qetë, drejton të gjitha aktivitetet e tij herë nga Durrësi, herë nga Surreli, herë nga Manza, ku t’i dojë qejfi. Kurse Beqiri ndërmori veprimtaritë e tij në disa vende anëtare të BE siç janë Austria, Sllovenia dhe Franca“, tha Berisha.
Berisha po ashtu deklaroi se Ermal Beqiri Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga AKSHI.
“Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga AKSHI i Lindave. Lindës së AKSHI-t dhe Lindës së Surrelit, që kontrollonte AKSHI-n. Ky është suksesi që reklamonte me të gjithë propagandën e tij Edi Rama. Paraqiste kriminelin Ermal Beqiri para personaliteteve më të larta të Evropës si historinë e tij të suksesit. Një bandit, një kriminel, i cili u kap nga autoritetet franceze duke fluturuar në një zonë që për ata mund të ishte edhe për qëllime spiunazhi. Dënoj këtë bashkëpunim të turpshëm të Edi Ramës me krimin. Nuk ka dyshim se prokuroria dhe policia e shtetit, po të mos kishin marrë urdhër politik, do procedonin në kohën më të shkurtër për mandatet e arrestit ndërkombëtar. Por ata nuk e bënin dot sepse AKSHI ishte prona private e Edi Ramës. Këto janë përmasat e mafies më të rrezikshme në Evropë që kryesohet nga Edi Rama”, u shpreh kreu i PD.









