Nafta arrin 214 lekë për litër, rrezikohet transporti publik

Facebook
WhatsApp

Skema e kompensimit e miratuar nga qeveria mbulon vetëm periudhën mars, prill dhe maj, me një kompensim prej 50 lekësh për litër të naftës së konsumuar. Por, shoqata e transportit publik kërkon që skema e kompensimit të zgjatet edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht, duke argumentuar se në të kundërt rrezikohet funksionimi normal i transportit publik.

Administrata Tatimore ka rikujtuar kompanitë që operojnë në sektorin e transportit publik se kjo e shtunë është dita e fundit për të aplikuar për përfitimin e kompensimit të çmimit të naftës.

Përmes një njoftimi zyrtar, Tatimet u bëjnë thirrje operatorëve të dorëzojnë aplikimet për të përfituar mbështetjen financiare të miratuar nga qeveria.

“Aplikoni për të përfituar kompensimin prej 50 lekë/litër për karburantin e konsumuar gjatë periudhës mars–prill–maj 2026”, thuhet në njoftim.

Skema e kompensimit u miratua nga qeveria në muajin maj, pas rritjes së çmimit të karburanteve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme. Mbështetja financiare mbulon vetëm periudhën mars, prill dhe maj, me një kompensim prej 50 lekësh për litër të naftës së konsumuar.

Ndërkohë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që kjo skemë të mos ndërpritet. Sipas operatorëve, çmimi i naftës vijon të mbetet në nivele të larta, duke arritur ditët e fundit deri në 214 lekë për litër, çka po rëndon ndjeshëm kostot e aktivitetit.

Përmes një kërkese drejtuar institucioneve, shoqata kërkon që skema e kompensimit të zgjatet edhe për muajt qershor, korrik dhe gusht, duke argumentuar se në të kundërt rrezikohet funksionimi normal i transportit publik.

Operatorët kërkojnë gjithashtu që procedurat e rimbursimit të bëhen më të shpejta, pasi, sipas tyre, një pjesë e kompanive nuk kanë marrë ende pagesat për periudhat e mëparshme.

“Në vijim të takimeve dhe komunikimeve të zhvilluara lidhur me situatën financiare të operatorëve të transportit publik, dëshirojmë të rikthejmë në vëmendjen tuaj shqetësimin serioz që vazhdon të ndikojë në mbarëvajtjen e këtij shërbimi me rëndësi jetike për qytetarët.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit, e cila aktualisht ka arritur nivelet më të larta të vitit, ka rënduar ndjeshëm kostot operative të sektorit. Duke pasur parasysh konsumin e lartë të karburantit nga mjetet e transportit publik, kjo situatë ka krijuar një barrë financiare të papërballueshme për operatorët, duke vënë në rrezik vazhdimësinë normale të aktivitetit dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

Nëse kjo situatë do të vijojë, ekziston rreziku real i përkeqësimit të likuiditetit financiar të operatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, furnitorëve, institucioneve tatimore dhe kreditorëve të tjerë. Një situatë e tillë do të cenonte jo vetëm stabilitetin ekonomik të operatorëve, por edhe vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët.

Për këto arsye, kërkojmë nga institucionet tuaja që të propozojnë pranë Këshillit të Ministrave vijimin e skemës së kompensimit për operatorët e transportit publik edhe për periudhën qershor, korrik dhe gusht 2026, si një masë e domosdoshme për garantimin e funksionimit normal të këtij sektori.

Njëkohësisht, kërkojmë që procedurat e rimbursimit të thjeshtohen dhe të përshpejtohen, pasi një pjesë e operatorëve ende nuk kanë përfituar pagesat e mëparshme. Përshpejtimi i këtyre procedurave do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes financiare të operatorëve dhe në garantimin e vijimësisë së shërbimit.

Duke vlerësuar rëndësinë e transportit publik si një shërbim me interes të lartë publik, besojmë se institucionet që ju përfaqësoni do ta trajtojnë këtë kërkesë me prioritet dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, mbetemi në pritje të një përgjigjeje pozitive”, thuhet në reagimin e plotë të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick