Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për një marrëveshje që do të çonte drejt formimit të institucioneve të reja. Por, vëzhguesit mbeten skeptikë se një marrëveshje e tillë do të ofronte zgjidhje, duke përmendur përçarjet brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Kosova mund të hyjë në një tjetër krizë institucionale, pasi edhe me konstituimin e Kuvendit nuk pritet zgjedhja e Presidentit. Ish-zv/kryeministri Haki Abazi, thotë se Parlamenti do të mblidhet vetëm formalisht, duke paralajmëruar dështimin e rradhës për emrin e ri të kreut të shtetit në Prishtinë.
“Tani vetë fakti që është shtyrë në ditën e fundit të afateve kushtetuese tregon se sa joserioze është qasja ndaj formimit të institucioneve. Unë jam i bindur që i gjithë skenari është i përgatitur që të shkojmë në zgjedhje të reja, dhe ato në kohën e pushimit të dimrit. Do të thotë do të kemi një konstituim sa për sy e faqe dhe dështim të përzgjedhjes së presidentes/presidentit, dhe kjo dërgon mandej në krizë tjetër, e cila domosdoshmërisht kërkon zgjedhje të reja.”
Sipas Abazit edhe rizgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike nuk e zgjidh aspak problemin e përçarjes së partisë.
“Tani Lumiri ka bërë një fitore, por që është humbje për Kosovën. Sepse nuk mund të ketë më marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje një Lidhje Demokratike e cila realisht ka dalë nga një proces i brendshëm në gjysmë. Nuk mundet Abdixhiku ta kontrollojë votën ose ta rreshtojë votën prapa një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje të atyre deputetëve të cilët kanë qenë në anën tjetër të gjysmës, do të thotë kundër Abdixhikut”,
Abazi thotë se strategjia e kryeministrit në detyrë nuk është krijimi i institucioneve, por dobësimi i LDK-së.
Bisedimet e LDK-së me LVV-në për një marrëveshje të mundshme u pezulluan më 15 korrik, për shkak të kërkesës së një pjese të zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas pakënaqësive për rezultatin zgjedhor.
Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim, por dallimet dhe mospajtimet brenda LDK-së, të cilat janë shpërfaqur përmes votimit për dhe kundër tij, mbeten të qarta, vlerësojnë zyrtarë të lartë të LDK-së, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Krijimi i unitetit në LDK rreth një vendimi të përbashkët të 18 deputetëve të saj lidhur me një marrëveshje eventuale me LVV-në, mbetet sfidë. Në mesin e tyre ka edhe persona që votuan për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.









