Në ditën e 63-të të protestës, mijëra qytetarë të ardhur diaspora iu bashkuan sonte të tjerëve para Kryeministrisë. Fjalimet u përqendruan te akuzat ndaj qeverisë, kërkesat për decentralizimin e pushtetit lokal dhe thirrjet për vazhdimin e protestave.
Në ditën e 63-të të protestave të pandërprera, mijëra qytetarë u mblodhën sërish para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella në drejtimin politik të vendit. Tubimit iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika dhe Zvicra.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja ishte më e lartë se në ditët e mëparshme, pavarësisht temperaturave të larta të fillim-gushtit. Një pjesë e madhe e fjalimeve u mbajtën nga aktivistë, ish-funksionarë dhe përfaqësues të diasporës, të cilët përsëritën thirrjen për vijimin e protestave deri në arritjen e objektivave të tyre politike.
Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti, u shpreh se qytetarët nuk duhet të tërhiqen nga qëndresa. Gjatë fjalës së tij, ai solli edhe një referencë nga “Iliada”, duke e krahasuar situatën aktuale me përballjen mes Akilit dhe Hektorit.
“Ne jemi kundër dhunës, sepse duam institucione të forta dhe funksionale. Nëse e lëshoni frontin sot, mos u ankoni për dekadat që do të vijnë”, deklaroi Ahmeti.
Një tjetër pjesëmarrës, i ardhur nga Italia, tha se kishte udhëtuar posaçërisht për t’iu bashkuar protestës. Me tone simbolike, ai u shpreh se së bashku me bashkëqytetarët e tij do t’i jepnin fund, sipas tij, një periudhe të gjatë qeverisjeje të korruptuar.
Akuza të forta u hodhën edhe nga protestues të tjerë të ardhur nga diaspora, të cilët e lidhën emigrimin masiv të shqiptarëve me situatën ekonomike dhe politike në vend. Në fjalimet e tyre nuk munguan as referencat ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me aktorë të ndryshëm rajonalë.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë tubimit ishte edhe reforma e pushtetit vendor. Aktivistët kundërshtuan planet për riorganizimin territorial, duke argumentuar se ato do të çonin në përqendrimin e mëtejshëm të pushtetit në duart e qeverisë qendrore.
Sipas tyre, decentralizimi përbën një nga kushtet kryesore për forcimin e demokracisë dhe rritjen e rolit të komuniteteve lokale në vendimmarrje.
Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa kanë bërë thirrje për një mobilizim më të madh të qytetarëve si në Tiranë, ashtu edhe në qytetet e tjera të vendit. Në qendër të kërkesave të tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe ndryshimi i kursit politik të qeverisë.









