Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila shpreh shqetësimin se ky nuk është një rast i izoluar, duke argumentuar se aksidentet në punë vazhdojnë të përsëriten në sektorin minerar.
Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për Ilir Kolaverin, minatorin që dyshohet se u aksidentua teksa punonte në minierën e kromit në Tërnovë.
Aksidenti ndodhi gjatë së shtunës. Sipas dyshimeve, 40-vjeçari ka rënë në një furnelë brenda galerisë, për t’u mbuluar më pas nga një masiv minerali.
Pas marrjes së njoftimit, grupet e shpëtimit mbërritën menjëherë në zonë dhe, që prej mesditës së të shtunës, po punojnë për të përcaktuar vendndodhjen e minatorit dhe për ta nxjerrë atë.
Ndërhyrja po zhvillohet në rrethana të vështira, për shkak të strukturës së minierës dhe mundësisë së shembjeve të tjera.
Miniera e kromit në Tërnovë menaxhohet nga kompania “Eternal Security”. Ndërkohë, autoritetet kanë hapur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.
Kjo ngjarje ngre pikëpyetje të mëdha dhe shqetësim serioz për zbatimin me përpikëri të protokollit të mbrojtjes gjatë punës në minierë nga ana e kompanisë që shfrytëzon këtë galeri kromi.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila shpreh shqetësimin se ky nuk është një rast i izoluar, duke argumentuar se aksidentet në punë vazhdojnë të përsëriten në sektorin minerar, në ndërtim, në energjetikë, në transport, në bujqësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa punëtorët vazhdojnë të paguajnë me jetën ose me shëndetin e tyre mungesën e sigurisë në vendin e punës.









