73 ditë protestë\“Shtatori do të bëjë gati valixhet e kryeministrit!”

Facebook
WhatsApp

Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e 73-të, ndërsa qytetarët paralajmërojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Nga sheshi, mesazhet janë drejtuar ndaj qeverisë dhe SPAK-ut, ndërsa aktivisti Edison Lika paralajmëroi se shtatori mund të sjellë një përshkallëzim të protestave. Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka mbërritur në ditën e 73-të, ndërsa qytetarët që kanë dalë në shesh vijojnë të kërkojnë ndryshim dhe përgjegjësi politike.

Edhe mbrëmjen e kësaj të marte, protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë me pankarta që drejtonin akuzat ndaj qeverisë dhe kërkonin veprim nga SPAK-u.

Një prej mesazheve të protestuesve lidhej drejtpërdrejt me vazhdimin e protestës edhe në ditën e 74-t: “Shifna n’shesh! Nesër edhe më shumë”. Ndërsa në një tjetër pankartë, numri 73 shoqërohej me mesazhin: “Heshtja nuk është zgjedhje”.

Protestuesit e kanë lidhur revoltën edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Me hajdutë në qeveri, s’ka BE për Shqipëri!”, shkruhej në një prej pankartave, ndërsa një tjetër e formulonte kërkesën edhe më drejtpërdrejt: “Hajdutët në burg, jo në Evropë!”

Kritikat nuk janë drejtuar vetëm ndaj qeverisë. Edhe SPAK-u është vënë në qendër të mesazheve të protestuesve, të cilët kërkojnë që institucionet e drejtësisë të japin përgjigje për akuzat që ngrihen ndaj pushtetit.

“Zyrat e shtetit nuk janë shpella hajdutësh! SPAK: Drejtësi apo amnisti?”, thuhej në një tjetër pankartë të ngritur gjatë protestës.

Në këtë klimë, aktivisti Edison Lika, duke folur para Kryeministrisë, kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës dhe deklaroi se protesta nuk është ndalur, pavarësisht përpjekjeve që, sipas tij, janë bërë për ta shuar.

“Iku Rama me gushtin. Fillimi i shtatorit nuk do të shënojë vetëm uljen e temperaturave, por do të bëjë gati edhe valixhet e Ramës nga pushteti. Dorëheqje!”, u shpreh Lika.

Sipas tij, përpjekjet për ta ndalur lëvizjen qytetare kanë prodhuar efektin e kundërt.

“Kam bërë çdo gjë për ta fikur këtë protestë, por ajo ndezi zjarrin e shpresës së shqiptarëve. Këtë zjarr ata nuk e fikin dot”, deklaroi aktivisti.

Lika akuzoi gjithashtu qeverinë se ka tentuar të përçajë protestuesit duke i ndarë në grupe të ndryshme.

“Kanë tentuar çdo lloj përçarjeje, të na ndajnë në çdo lloj grupimi, por jemi më të bashkuar se kurrë kundër këtij regjimi”, tha ai.

Në vijim, aktivisti theksoi se protestuesit bashkohen nga një sërë kauzash, duke veçuar edhe simbolikën kombëtare. Sipas tij, Himni i Flamurit është pjesë e pandashme e protestës, me të cilin, siç u shpreh, nis çdo ditë qëndresa në shesh.

Pas 73 ditësh, mesazhi që përcillet nga protesta mbetet ai i vazhdimësisë. Qytetarët nuk kanë shpallur mbylljen e saj dhe, përkundrazi, paralajmërojnë një pjesëmarrje më të madhe në ditën e 74-t.

“Shifna n’shesh! Nesër edhe më shumë.”

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick