Sipas hetimeve paraprake, një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që sulmi ndaj Bajrit të ketë qenë një mesazh i lidhur me konfliktet e tij me Ibrahim Licin, i shpallur në kërkim dhe i konsideruar si rival i grupit të Bajrave në Shkodër.
Tetë punonjës të policisë së burgut të Fierit janë pezulluar nga detyra pas incidentit të së shtunës, ku u përfshinë të dënuarit Denis Bajri, Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto.
Ngjarja ndodhi në ambientet e përbashkëta të IEVP Fier. Gjatë përplasjes, Denis Bajri dyshohet se u sulmua me një thikë artizanale, ndërsa i plagosur mbeti edhe Jurgen Zoto.
Sipas hetimeve paraprake, një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që sulmi ndaj Bajrit të ketë qenë një mesazh i lidhur me konfliktet e tij me Ibrahim Licin, i shpallur në kërkim dhe i konsideruar si rival i grupit të Bajrave në Shkodër.
Pas incidentit, Jurgen Zoto është transferuar në burgun e Burrelit, ndërsa Aldo Gjini është dërguar në burgun e Drenovës, ku do të qëndrojë në izolim për një periudhë tre mujore.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, janë pezulluar nga detyra tetë punonjësit e sigurisë që ndodheshin në turn gjatë kohës së ngjarjes. Mes tyre janë dy përgjegjës turni dhe gjashtë punonjës të rolit bazë.
Të pezulluarit janë:
Kryeinspektor G.B., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
Inspektor Sh.H., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
Inspektor A.A., punonjës i rolit bazë;
Inspektor D.GJ., punonjës i rolit bazë;
Inspektor A.H., punonjës i rolit bazë;
Inspektor P.K., punonjës i rolit bazë;
Inspektor S.Ç., punonjës i rolit bazë;
Inspektor A.S., punonjës i rolit bazë.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi do të vijojë deri në përfundimin e hetimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente për mënyrën e zbatimit të detyrave funksionale nga punonjësit e policisë së burgut.









