Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pushtetit vendor dhe Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar sqarime për arsyet e vonesës dhe përcaktimin e një afati konkret për kryerjen e pagesave.
Transporti publik urban rrezikon të funksionojë me një numër më të kufizuar autobusësh nëse institucionet nuk japin një përgjigje për kompensimin e karburantit deri në fillim të javës së ardhshme.
Përfaqësues të shoqatave të transportit thanë për “News24” se operatorët po përballen me vështirësi financiare për shkak të vonesës së pagesave që lidhen me muajt mars, prill dhe maj.
Qeveria ka miratuar kompensimin me 50 lekë për litër karburant, por operatorët pretendojnë se, megjithëse kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar, fondet ende nuk janë disbursuar.
Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban u janë drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pushtetit vendor dhe Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar sqarime për arsyet e vonesës dhe përcaktimin e një afati konkret për kryerjen e pagesave.
Sipas operatorëve, gjatë kësaj periudhe kompanitë kanë vijuar të mbulojnë me fondet e tyre kostot e aktivitetit, ndërsa çmimi i karburantit vijon të mbetet në nivele të larta.
Përveç disbursimit të kompensimit për tre muajt e kaluar, shoqatat kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vazhdojë edhe pas muajit maj, për aq kohë sa kostot e karburantit mbeten të larta.
Në mungesë të një zgjidhjeje, operatorët paralajmërojnë reduktimin e flotës urbane në qarkullim. Një masë e tillë, sipas tyre, do të sillte uljen e frekuencës së autobusëve dhe të kapacitetit të transportit publik, duke ndikuar drejtpërdrejt te qytetarët që përdorin këtë shërbim.
Shoqatat kërkojnë ndërhyrje urgjente për disbursimin e kompensimit të miratuar, si dhe një vendimmarrje për vazhdimin e mbështetjes financiare.









