Vret veten 38-vjeçari, drama e tij nisi në Zvicër 8 vite më parë

Facebook
WhatsApp

Ilir Telhaj ndërroi jetë në spitalin e Beratit pasi u dërgua atje në gjendje të rënduar. Katër vite më parë, ai kishte rrëfyer në emisionin investigativ “Stop” dramën që kishte përjetuar gjatë qëndrimit në një kamp azili në Zvicër dhe betejën e tij ligjore me institucionet atje.

Një lajm i trishtë ka mbërritur mesditën e kësaj të mërkure nga Berati, nga ku raportohet se një 38-vjeçar, i cili një ditë më parë ishte dërguar në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, ka ndërruar jetë.

Burime për mediat bëjnë me dije se pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, autoritetet kanë ngritur dyshimet se Ilir Telhaj i ka dhënë fund jetës. Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Deri në një njoftim zyrtar të autoriteteve, rrethanat e sakta të vdekjes mbeten objekt hetimi.

Drama që kishte rrëfyer në “Stop”

Katër vite më parë, Ilir Telhaj ishte bërë pjesë e një kronike të emisionit investigativ “Stop”, ku kishte rrëfyer një histori të vështirë që, sipas dëshmisë së tij, kishte nisur në Zvicër.

Në vitin 2018, ai kishte kërkuar azil në Zvicër dhe ishte vendosur në një kamp azili. Telhaj tregonte se gjatë qëndrimit atje kishte pasur një konflikt me drejtuesin e kampit, pas të cilit ishte shoqëruar nga policia dhe më pas ishte dërguar në një institucion shëndetësor.

Sipas dëshmisë së tij në emision, ai pretendonte se ishte trajtuar në mënyrë të detyruar dhe se qëndrimi në klinikë kishte ndikuar rëndë në gjendjen e tij fizike dhe psikologjike.

Ai tregonte se kishte qëndruar rreth dy muaj në klinikë dhe se më pas, pas ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare, ishte kthyer në Shqipëri në një gjendje të rënduar.

Në Shqipëri, sipas rrëfimit të tij, kishte nisur trajtimin dhe kishte arritur të përmirësohej.

Telhaj kishte deklaruar se më pas kishte vendosur të rikthehej në Zvicër për të ndjekur një proces ligjor ndaj institucionit shëndetësor, duke pretenduar se ishte trajtuar në mënyrë të padrejtë.

Ai kishte ngritur një kallëzim dhe çështja kishte kaluar për shqyrtim në institucionet përkatëse.

Në intervistë, ai shprehej se donte të kthehej në Shqipëri për shkak të kushteve të vështira në të cilat ndodhej, por pretendonte se ishte përballur me kushte nga autoritetet zvicerane për mbylljen e çështjes së tij.

“Unë ndihem sikur jam marrë peng”, kishte deklaruar ai në emision, duke shpjeguar se dëshironte të rikthehej pranë familjes dhe të merrte kujdesin e nevojshëm.

Në atë kohë, për rastin ishte prononcuar edhe ekspertja e së Drejtës Ndërkombëtare, Evelina Çelaj.

Ajo kishte argumentuar se çështja duhej parë në raport me të drejtën e individit për akses në institucionet gjyqësore dhe se, nëse një person ishte i aftë të vepronte sipas dokumentacionit përkatës, nuk duhej penguar në ndjekjen e çështjes së tij ligjore.

Çelaj kishte ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me mënyrën e trajtimit të azilkërkuesve dhe nevojën që raste të tilla të mos përsëriteshin.

Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, Telhaj kishte njoftuar se kishte komunikuar me Ambasadën shqiptare në Zvicër. Sipas tij, ambasada e kishte informuar se nuk do t’i kërkohej mbyllja e çështjes si kusht për t’u kthyer në Shqipëri.

Ai kishte thënë se po priste dokumentacionin mjekësor dhe përfundimin e procedurave për kthimin e tij. Katër vite pas atij rrëfimi televiziv, Ilir Telhaj është ndarë nga jeta në moshën 38-vjeçare.

Vdekja e tij rikthen në vëmendje historinë e vështirë që ai kishte bërë publike vite më parë, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të zbardhin përfundimisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick