Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja në Durrës, automjeti po lëvizte me shpejtësi në një prej akseve të ngarkuara me trafik, kur për arsye që ende nuk janë të qarta, ka humbur kontrollin dhe është përmbysur në rrugë.
Një automjet tip Hyundai Tucson është përmbysur në një nga rrugët e Durrësit, teksa po lëvizte në drejtim të Spitalit Rajonal.
Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor që lidh kryqëzimin e stadiumit me Drejtorinë e Policisë dhe Spitalin Rajonal të Durrësit, në rrugën “Hysen Kërtusha”, ku fuoristrada përfundoi e përmbysur pas një manovre të gabuar.
Në automjet ndodheshin drejtuesi, një grua dhe një fëmijë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar, ndërsa tre personat fatmirësisht kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta. Ata u transportuan më pas drejt Spitalit të Durrësit për të marrë ndihmën mjekësore.
Por përveç aksidentit, shqetësim ka shkaktuar edhe koha e mbërritjes së ambulancës. Sipas dëshmive paraprake, ambulanca ka mbërritur rreth 20 minuta pas njoftimit, edhe pse vendi i ngjarjes ndodhej pranë spitalit. Ky është aksidenti i dytë brenda 24 orëve në Durrës ku një automjet përfundon i përmbysur.
Ndërkohë, pritet që të zbardhen rrethanat e plota të aksidentit.









