Situata në vend mbetet problematike, me 8 vatra zjarri ende aktive nga 35 të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Më shqetësuese paraqitet gjendja në Lurë, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe rrezikojnë disa banesa. Në zona të tjera, përfshirë Krujën, ndërhyrja e forcave në terren ka sjellë përmirësim të situatës.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë përfshirë edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, katër helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Në Tiranë, operacioni vijon në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, në Dajt, ku 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë po mbështesin ekipet në terren. Për momentin nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Një nga situatat më problematike paraqitet në Gurë-Lurë, Dibër, ku flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa. Në terren janë angazhuar rreth 170 forca, përfshirë punonjës të zonave të mbrojtura, efektivë të ushtrisë dhe policisë. Operacioni po mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri në Lurë mund të jetë i qëllimshëm, pasi janë evidentuar disa vatra në zona të ndryshme. Gjatë ndërhyrjes, një punonjës i forcave zjarrfikëse është lënduar si pasojë e asfiksisë nga tymi dhe është marrë në kujdes mjekësor.
Në Krujë, situata është përmirësuar dhe zjarret janë drejt izolimit. Puna vijon në vatrat e Abazes dhe Zidollit, ndërsa ndërhyrjet nga toka, të mbështetura edhe nga ajri gjatë ditës së djeshme, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat. Në Bojë janë aktive dy vatra të vogla, për të cilat ekipet zjarrfikëse po punojnë për neutralizimin e tyre.
Operacionet vijojnë edhe në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, si dhe në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit, në Lezhë, Elbasan e Shkodër. Ndërkohë, në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh zjarret janë shuar plotësisht.
Autoritetet vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës, me fokus mbrojtjen e banesave dhe jetës së banorëve, si dhe izolimin sa më të shpejtë të vatrave aktive.









