Dy aksidente të rënda janë regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të premteje në Durrës. Një 32-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet, ndërsa në një tjetër aksident, drejtuesi i një makine mbeti i plagosur rëndë.
Një aksident fatal është regjistruar rreth orës 06:15 në aksin rrugor “Shkozet-Shijak”, në vendin e quajtur Rrashbull. Sipas Policisë, një automjet ende i paidentifikuar ka përplasur 32-vjeçarin me inicialet V. H., i cili po lëvizte me biçikletë.
Për shkak të përplasjes, 32-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është larguar menjëherë pas aksidentit dhe policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit.
Ndërkohë, një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit, në zonën e Vilës së Zogut në Durrës. Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar rreth 40 metra në një humnerë.
Përplasja ka qenë e fortë dhe automjeti ka përfunduar në një terren të vështirë, duke e komplikuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit. Drejtuesi i mjetit është nxjerrë nga zona dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Durrësit.
Sipas të dhënave paraprake, i plagosuri ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa mjekët po vijojnë përpjekjet për t’i shpëtuar jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ende nuk dihet se si drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka dalë nga rruga.









