Athinë/ Shqiptari vret ish-parneren, më pas vetëvritet

Facebook
WhatsApp

Dy shqiptarë u gjetën të vdekur në hyrjen e një pallati në Nea Smyrni. Sipas autoriteteve greke, burri dyshohet se e priti 45-vjeçaren jashtë ndërtesës, e qëlloi për vdekje dhe më pas vrau veten.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Greqi, ku një grua 45-vjeçare nga Shqipëria dhe një burrë u gjetën të vdekur në hyrjen e një pallati në Nea Smyrni të Athinës.

Sipas medias greke Protothema.gr, ngjarja ndodhi në rrugën Grigoriou Kydonion nr. 3, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat në të cilat humbën jetën dy personat.

Të dhënat e raportuara më pas nga media greke tregojnë se autoritetet po e shqyrtojnë rastin si vrasje të ndjekur nga vetëvrasja. Burri dyshohet se e kishte pritur 45-vjeçaren jashtë pallatit, e kishte qëlluar për vdekje dhe më pas kishte qëlluar veten.

Në ndërtesën ku ndodhi ngjarja banon vajza e 45-vjeçares. Policia po shqyrton edhe këtë rrethanë, ndërsa përpiqet të rindërtojë lëvizjet e gruas përpara ngjarjes. Informacionet e para tregonin se asnjëri prej dy viktimave nuk banonte në pallatin ku u gjetën.

Sipas të dhënave paraprake, 45-vjeçarja kishte plagë nga arma e zjarrit në trup dhe fytyrë, ndërsa burri kishte një plagë në kokë. Fillimisht u raportua se arma nuk ishte gjetur, pasi kontrollet në zonë vijonin. Por, sipas të dhënave të publikuara më vonë, një armë u gjet pranë trupit të burrit, duke përforcuar dyshimet e autoriteteve për vrasje dhe më pas vetëvrasje.

Hetimin e ka marrë përsipër Drejtoria për Luftimin e Krimit të Organizuar (DAOE). Autoritetet po mbledhin prova dhe informacione për të përcaktuar marrëdhënien mes dy personave dhe motivin e ngjarjes. Deri tani nuk rezulton se ata kanë qenë të martuar.

Një grua që ndodhej në zonë deklaroi se të shtënat ishin dëgjuar rreth orës 05:30 të mëngjesit.

“Fqinja tha se në të gdhirë kishte dëgjuar të shtënat. Këtu është shtëpia e prindërve të mi. Dëgjova tri të shtëna rreth orës 05:30 të mëngjesit”, tha ajo për “Protothema”.

Dëshmitarja tha gjithashtu se nuk kishte dëgjuar ndonjë automjet dhe nuk kishte vënë re diçka tjetër të pazakontë.

Autoritetet kanë sekuestruar pamjet filmike, të cilat kanë fiksuar të gjithë skenën dhe po hetojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick