Agasi akuzohet se në bashkëpunim me Ermal Beqirajn kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal, i cili kishte si qëllim manipulimin e tenderëve publikë të AKSHI-t, ku përveç korrupsionit dyshohet se janë përdorur edhe forma dhune e deri në pengmarrje.
I shumëkërkuari nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të dosjes hetimore për abuzimet në AKSHI, Ergys Agasi, është arrestuar ditën e sotme në qytetin e Elbasanit.
Agasi i shpëtoi valës së parë të prangosjes, por rënia e tij në dorën e uniformave të bluja vjen pas një hetimi intensiv të autoriteteve, duke çuar pas hekurave një nga emrat kryesorë të kësaj dosjeje me rezonancë të lartë publike.
Në momentin e arrestimit, Agasi ishte nën shoqërinë e Ulian Shpatarakut, ish-drejtues i Policisë së Elbasanit, i njohur si njeri i afërt i Ilir Prodës dhe i përjashtuar nga Policia vetëm tre muaj më parë nga drejtori Skënder Hita.
Mësohet se të dy janë arrestuar nga policia. Shpataraku nuk është më pjesë e Policisë. Vetëm tre muaj më parë, në maj 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, firmosi përjashtimin e tij nga radhët e uniformave blu.
Ai ishte pezulluar më herët nga detyra, ndërsa si motiv për largimin e tij u raportua mosparaqitja në punë. Në atë periudhë mbante detyrën e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policinë e Shtetit.
Ergys Agasi kërkohej që prej dhjetorit 2025, kur GJKKO caktoi ndaj tij masën “arrest me burg” në dosjen e AKSHI-t. SPAK e akuzon Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiri si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se manipulonte tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke përdorur sipas hetimit edhe dhunën dhe heqjen e paligjshme të lirisë.
Një nga episodet më të rënda të dosjes është ai i biznesmenit Gerond Meçe, i cili sipas hetimeve u mor forcërisht në gusht 2025 nga persona të veshur me uniforma policie dhe të ngjashme me ato të BKH-së. Ai u mbajt nën presion që të tërhiqej nga ankimimet për tenderët e AKSHI-t dhe më pas u la i lirë në një fshat të qarkut të Elbasanit. Sipas materialeve të hetimit të raportuara në media, urdhri dyshohet se lidhej me grupin e drejtuar nga Agasi dhe Beqiri.
Të dy biznesmenët i shpëtuan operacionit të dhjetorit 2025. Beqiri u kap më pas në Francë në korrik 2026, ndërsa Agasi u kap sot.









