Nga hetimet paraprake dyshohet se Klevis Leka ka përdorur mjete prerëse gjatë konfliktit me administratorin, duke e plagosur rëndë atë. Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një motosharrë.
Një konflikt që dyshohet se nisi për linjën e ujit të pijshëm ka përfunduar me plagosjen e rëndë të administratorit të një pallati në Tiranë. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e sotëm në rrugën “Aleksandri i Madh”, ndërsa policia ka arrestuar një 35-vjeçar.
Sipas Policisë së Shtetit, i plagosuri është shtetasi F. G., 74 vjeç, administrator i pallatit, i cili dyshohet se është goditur me mjete prerëse gjatë një konflikti me një prej banorëve të objektit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar shtetasin Klevis Leka, 35 vjeç, banues në të njëjtin pallat.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 35-vjeçari ka përdorur mjete prerëse gjatë konfliktit me administratorin, duke e plagosur rëndë atë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thikë dhe një motosharrë.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes.
“Plagosi rëndë, me mjete prerëse, administratorin e pallatit ku banonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestojnë menjëherë pas krimit, autorin. Sekuestrohen mjetet prerëse (thikë dhe motorsharrë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit të mëngjesit të sotëm, se në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”, ndodhej i dëmtuar administratori i objektit, shtetasi F. G., 74 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u identifikua dhe u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar, shtetasi K. L., 35 vjeç, banor i këtij pallati.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka plagosur rëndë, me mjete prerëse, 74-vjeçarin, gjatë një konflikti për linjen e ujit të pijshëm në këtë pallat.
I dëmtuari është transportuar në spital, ku është në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.”, njofton policia.









