Berisha ka kërkuar përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare në monitorimin e hetimit, sepse aktiviteti i Agasit ka prekur edhe shtetas të huaj në Shqipëri.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj Ergys Agasit, duke pretenduar se ai ka pasur ndikim në institucione të rëndësishme shtetërore dhe lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama.
Në deklaratën e tij, Berisha e cilësoi Agasin si një person me rol koordinues mes kryeministrit dhe grupeve kriminale. Këto pretendime u paraqitën nga kreu i PD-së pa bërë publike prova konkrete që i mbështesin.
Berisha pretendoi gjithashtu se Agasi, përmes lidhjeve të tij me drejtues të AKSHI-t, kishte mundësi të kontrollonte të dhëna të qytetarëve shqiptarë dhe të shtetasve të huaj që ndodheshin në territorin e Shqipërisë.
Sipas tij, ndikimi i Agasit shtrihej edhe në çështje që lidhen me Ministrinë e Brendshme.
“Nuk mund të them me siguri, por qytetarët dixhitalë më kanë informuar se sipas burimeve të tyre policore, e theksoj, ditën e diel në një lokal të kontrolluar nga karteli në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një takim jo të shkurtër me Gys Agasin”, shtoi Berisha.
Kreu i PD-së ngriti pretendime edhe për ndikimin e Agasit në Shërbimin Informativ të Shtetit, duke iu referuar marrëdhënieve të tij me drejtuesen e institucionit. Berisha tha se këtë çështje e ka denoncuar edhe më parë publikisht.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal gjithashtu te raportet mes Agasit dhe kryeministrit Rama. Ai pretendoi se Rama është angazhuar personalisht në projektimin dhe arredimin e vilës së Agasit në Durrës.
Berisha ka kërkuar përfshirjen e institucioneve ndërkombëtare në monitorimin e hetimit. “Ajo çka PD kërkon, i bën thirrje Europolit, Eurojustit, vendeve partnere të monitorojnë me seriozitetin më të madh këtë proces”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, përfshirja e institucioneve ndërkombëtare është e nevojshme pasi, sipas tij, aktiviteti i Agasit ka prekur edhe shtetas të huaj në Shqipëri. Berisha ngriti akuza të forta lidhur me të dhënat e sistemit TIMS, duke pretenduar se Agasi ka pasur akses në informacione të pakufizuara dhe se ato janë përdorur në dëm të vendeve anëtare të NATO-s.
“Agasi ka qenë një rrezik për NATO-n. Agasi të gjitha të dhënat e sistemit TIMS, ua ka dhënë armiqve të NATO-s dhe kartelit të Troplinëve, midis të tjerash”, u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “E mbyll këtë me thirrjen për dorëheqje urgjente të Edi Ramës, pasi nuk është gjë tjetër, veçse një Agas në karrigen e kryeministrit”, deklaroi Berisha.









