Një prej vatrave aktive ndodhet në Malin e Dajtit, në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës në Tiranë. Në terren janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Situata e zjarreve vijon të mbajë të angazhuara strukturat e emergjencave në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat tre vijojnë të jenë aktive, ndërsa katër të tjera po mbahen nën mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 288 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse. Ndërhyrjet nga toka janë mbështetur edhe nga ajri, me dy helikopterë të Forcave të Armatosura të përfshirë në tre operacione.
Zjarri në Malin e Dajtit
Një prej vatrave aktive ndodhet në Malin e Dajtit, në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës në Tiranë. Në terren janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Për shuarjen e flakëve është vënë në dispozicion edhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Operacioni për neutralizimin e vatrës vijon edhe gjatë ditës së sotme.
Flakët vijojnë në Vajkal të Bulqizës
Situata mbetet aktive edhe në Vajkal të Bulqizës, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe dëllinja në një terren shkëmbor.
Në operacion janë angazhuar 40 forca vendore dhe vullnetare. Për shkak të erës, e cila ka favorizuar përhapjen e flakëve, ndërhyrjes i është bashkuar edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Gjatë ditës së sotme, në terren janë shtuar edhe 20 efektivë të FA-së. Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht situatës, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
46 forca kundër zjarrit në Sllatinë
Vatra e tretë aktive ndodhet në Sllatinë të Dibrës, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore me ah.
Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 33 forca bashkiake, pesë punonjës të ADZM-së dhe tetë vullnetarë, në total 46 persona.
Për shkak të rrezikut që flakët të përhapen drejt pyjeve me pisha, operacioni është mbështetur edhe nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Ndërhyrja vijon edhe gjatë ditës së sotme.
Katër vatra të tjera nën mbikëqyrje
Krahas tre vatrave aktive, autoritetet po monitorojnë edhe katër zona të tjera të prekura nga zjarret. Bëhet fjalë për Qafë Helmën dhe Arrmollën në qarkun Dibër, si dhe malin e Dardhës dhe malin e Qukësit në qarkun Elbasan.
Sipas raportimeve, situata në këto zona është nën kontroll ose vatrat janë izoluar dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës.









