Dorëheqja e ministres Sala, vjen në një periudhë të ngarkuar politike për mazhorancën, pas protestave dhe përplasjeve politike brenda mazhorancës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Sala e ka paraqitur dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë, pas rreth një viti në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas burimeve dorëheqja nuk ka qenë një vendim i momentit, por është planifikuar më herët. Mësohet se Sala pritet të largohet nga posti për të marrë një emërim në një pozicion ndërkombëtar.
Pritet që në vijim të ketë edhe një deklaratë për mediat, ku Sala do të bëjë të ditura arsyet e largimit nga detyra. Prof. Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në shtator të vitit 2025, në kuadër të qeverisë “Rama 4”.
Në momentin e prezantimit të saj si pjesë e qeverisë, kryeministri Rama vuri në pah profilin profesional dhe akademik ndërkombëtar të Salës, e cila vinte në ekzekutiv pas një karriere në institucione mjekësore dhe universitare jashtë Shqipërisë.
Por edhe pse erdhi me shumë bujë, gjendja e sistemit shëndetësorë në Shqipëri nuk ndryshoi aspak dhe vijon të jetë në kaos, dhe këtë e treguan edhe ngjarjet tragjike të ditëve të fundit.
Në aspektin politik dorëheqja e ministres Sala, vjen në një periudhë të ngarkuar politike për mazhorancën, pas protestave dhe përplasjeve politike brenda mazhorancës.
Prej kohësh është folur se Rama mund të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar, dhe mbase dorëheqja e Salës mund të shkaktojë efekt zinxhirë dhe të sjellë ndryshime rrënjësore të Qeverisë.









