Dy të rinjtë, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kishin përshtatur dy banesa në fshatin Barbullush për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, duke përdorur llamba.
Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Shkodrës, pasi dyshohet se kishin përshtatur dy banesa për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Të arrestuarit janë Arjon Beqiri 28 vjeç dhe Samuel Bercaj 25 vjeç ishin në kërkim që prej janarit të këtij viti.
Policia thotë se dy të rinjtë, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se kishin përshtatur dy banesa në fshatin Barbullush për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, duke përdorur llamba.
Rasti ishte evidentuar në janar të këtij viti, gjatë operacionit policor të koduar “Neonët 5”.
“Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasit:
A. B., 28 vjeç, banues në Shkodër;
S. B., 25 vjeç, banues në fshatin Zagorë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte nxjerrë urdhër për ndalimin e tyre, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Këta 2 shtetas dyshohet se, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në muajin janar 2026, në kuadër të operacionit policor të koduar “Neonët 5”, kishin përshtatur 2 ambiente (banesa), në fshatin Barbullush, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.









