Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, thotë se “glorifikimi i kriminelëve të luftës” bie ndesh me vlerat evropiane dhe mund të ndikojë në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se përkujtimet publike në Serbi për Ratko Mladiçin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska dhe të dënuarin për krime lufte, mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Beogradit me bllokun. Paralajmërimi vjen përpara ceremonisë së varrimit të Mladiçit, i njohur gjerësisht si “Kasapi i Bosnjës”.
Sipas Politico, Mladiç vdiq javën e kaluar në burg në Hagë, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Të enjten, arkivoli i tij, i mbuluar me flamurin serb, u transportua me një avion qeveritar drejt Beogradit. Varrimi është planifikuar për të hënën, pas një ceremonie në Shtëpinë e Ushtrisë, ku pritet të marrin pjesë mijëra persona.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, i tha Politico-s se mbështetja publike për Mladiçin nuk përputhet me aspiratat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend. Ai bie fuqishëm ndesh me vlerat evropiane dhe nuk ka vend as në shtetet anëtare të BE-së, as në vendet tona kandidate”, deklaroi Kos.
Ajo shtoi se Brukseli po e ndjek situatën me kujdes dhe do të vlerësojë edhe veprimet e qeverisë serbe në ditët në vijim.
“Serbia sigurisht që ka një vend në BE, por Bashkimi Evropian nuk kërkon vetëm zbatimin e reformave. Aleancat strategjike dhe orientimi strategjik në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme”, tha Kos.
Një zyrtar i qeverisë serbe, i cili foli në kushte anonimiteti, këmbënguli se shteti nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në ceremonitë e së hënës.
Sipas tij, tubimin përkujtimor nuk po e organizojnë Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, por Shoqata e Gjeneralëve në Pension. Ai shtoi se Mladiç nuk do të varroset as në Alenë e të Mëdhenjve dhe as në Alenë e Qytetarëve të Shquar.
Gjatë luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Mladiçit mbajtën Sarajevën nën rrethim për pothuajse katër vjet. Rrethimi ndërpreu furnizimet për popullsinë civile dhe mijëra civilë u vranë ose u plagosën nga bombardimet dhe snajperët.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe, më pas, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale e shpallën Mladiçin përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë, si dhe për krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Autoritetet e arrestuan Mladiçin në vitin 2011, pasi ai kishte kaluar pothuajse një dekadë në arrati. Arrestimi ndodhi disa muaj përpara se Serbia të merrte statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke hapur rrugën për mbështetje të konsiderueshme financiare dhe administrative nga blloku.
Ekstradimi i tij në Hagë shkaktoi kundërshtime në Serbi. Sondazhet e asaj kohe tregonin se deri në 40 për qind e serbëve e konsideronin atë hero.
Pas vdekjes së Mladiçit, qytete me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë organizuan homazhe. Udhëheqësi politik serb i Bosnjës, Milorad Dodik, deklaroi se “Mladiç respektohej nga populli serb” dhe se, si komandant, “qëndroi për të mbrojtur serbët”.
Ministri irlandez për Evropën, Thomas Byrne, i cili drejton të premten në Dublin një takim të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, tha se megjithëse nuk po zhvillohet një funeral shtetëror, pjesëmarrja e mundshme e zyrtarëve të lartë qeveritarë në përkujtimin e Mladiçit do të ishte e papranueshme.
“Ka ardhur koha të varroset e kaluara dhe të punohet për të vazhduar pajtimin në atë rajon”, tha Byrne. Sipas tij, zhvillime të tilla vazhdojnë të shkaktojnë dhimbje, veçanërisht në rajon, por edhe në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Ratko Mladiç pritet të varroset të hënën në varrezat e Topçiderit në Beograd.









