Zjarret përfshijnë disa qarqe, banesat në rrezik!

Facebook
WhatsApp

Vatra të shumta zjarri janë regjistruar në disa zona të vendit, nga Mallakastra dhe Fieri deri në Mat, Elbasan e Kukës. Në disa raste flakët kanë rrezikuar banesa dhe zona të mbrojtura, ndërsa terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë komplikuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Situata nga zjarret mbetet problematike në disa qarqe të vendit, ku gjatë orëve të fundit janë regjistruar vatra të shumta, disa prej të cilave kanë përfshirë sipërfaqe pyjore, ullishte dhe zona me bimësi të dendur. Në disa raste flakët janë afruar pranë banesave, duke detyruar strukturat e emergjencave civile dhe zjarrfikësit të angazhohen për orë të tëra në terren.

Një nga situatat më shqetësuese është regjistruar në zonën e Shkopetit, ku zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka depërtuar në një zonë të mbrojtur. Flakët, që nisën fillimisht në fshatin Lundre të Njësisë Administrative Ulëz, janë përhapur drejt luginës së Shkopetit, duke përfshirë majën e malit dhe duke avancuar gradualisht në drejtim të liqenit.

Situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të terrenit të thyer, që pengon ndërhyrjen e forcave nga toka. Mungesa e mbështetjes nga ajri ka komplikuar më tej operacionin për izolimin e vatrës, ndërsa perimetri i zjarrit raportohet se ka arritur në disa kilometra.

Rreziku në këtë zonë nuk kufizohet vetëm te dëmtimi i sipërfaqeve pyjore dhe zonës së mbrojtur. Banesat në fshatrat Madhesh dhe Lundre mbeten të kërcënuara, ndërsa në pjesën lindore flakët janë afruar edhe drejt zonave të banuara të Njësisë Administrative Baz. Sipas raportimeve nga terreni, disa stane dhe struktura të përdorura gjatë verës nga banorët për mbajtjen e bagëtive janë dëmtuar nga zjarri.

Një tjetër vatër është regjistruar në Mallakastër, në zonën e Çërrilës, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha, ullishte dhe shkurre. Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga Policia dhe banorë të zonës, janë angazhuar për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Terreni i vështirë ka penguar lëvizjen e mjeteve dhe ndërhyrjen e forcave në disa pjesë të zonës. Deri tani nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë ndaj banesave, ndërsa puna për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve vijon.

Vatra të tjera janë shënuar në Fier dhe Elbasan. Në pyllin e Semanit, pranë grykëderdhjes së lumit, janë raportuar dy vatra zjarri që kanë avancuar drejt një masivi me pisha. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve dhe ka vështirësuar punën e zjarrfikësve të Fierit.

Situatë alarmante është krijuar edhe në Kodër Krastë, në periferi të Elbasanit, ku zjarri iu afrua zonës së banuar. Dy banesa u rrezikuan drejtpërdrejt, por ndërhyrja e tre mjeteve zjarrfikëse dhe 12 efektivëve bëri të mundur izolimin e flakëve pas rreth dy orësh luftë me zjarrin. Banesat e rrezikuara u shpëtuan pa u dëmtuar.

Ndërkohë, në fshatin Borje të Njësisë Administrative Shishtavec në Kukës, një vatër zjarri solli angazhimin e përbashkët të forcave shqiptare dhe kosovare. Flakët përfshinë një zonë me shkurre dhe bar të thatë, ndërsa temperaturat e larta dhe era e fortë krijuan kushte për përhapjen e shpejtë të tyre.

Banorët e zonës ishin të parët që ndërhynë për të frenuar zjarrin, deri në mbërritjen e forcave të specializuara. Operacionit iu bashkuan zjarrfikësit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi pyjor dhe më pas edhe mjete zjarrfikëse nga Dragashi i Kosovës, të cilat mbërritën shpejt për shkak të afërsisë dhe lidhjes rrugore mes dy zonave.

Pas disa orësh punë, vatra u izolua dhe avancimi i flakëve u ndal, ndërsa zona vijon të monitorohet për të shmangur riaktivizimin.

Sipas të dhënave të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, në rang vendi janë evidentuar 32 vatra zjarri. Njëmbëdhjetë prej tyre vijojnë të jenë aktive, pesë të tjera mbahen nën mbikëqyrje për shkak të mundësisë së riaktivizimit, ndërsa 16 janë shuar. Situata mbetet e varur nga kushtet atmosferike, ndërsa temperaturat e larta dhe era vazhdojnë të përbëjnë faktorë që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick