Kushtetuesja thekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim nga autoritetet përgjegjëse. Po ashtu sqaron gjithashtu se mënyra si ajo ekzekuton pagat e veta nuk mund të përdoret për të interpretuar apo relativizuar efektet juridike të vendimit.
Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me konfliktin për pagat e magjistratëve, ku kërkon zbatimin e vendimit të saj. Kushtetuesja thekson se me vendimin e muajit shkurt është përcaktuar tashmë standardi kushtetues që duhet të ndiqet për këtë çështje, si dhe detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse.
Sipas GJK-së, arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës dhe duhet të lexohen dhe zbatohen në tërësinë e tyre.
Gjykata nënvizon gjithashtu se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, duke e lidhur respektimin e tyre me parimin e shtetit të së drejtës dhe sigurinë juridike.
Reagimi vjen si përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon ekzekutivi dhe e miraton legjislativi.
“Secili institucion në vendin e vet. Fondin e pagave të pushtetit gjyqësor e propozon pushteti ekzekutiv dhe e miraton pushteti legjislativ. E kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit dhe nuk kuturiset të hapë vetë derën e thesarit të shtetit, çdo koment tjetër është në rastin më të mirë humbje kohe dhe në më të keqin as mos e pyet se ç’është…”, deklaroi Rama.
Kushtetuesja sqaron edhe se mënyra e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave brenda vetë Gjykatës, në varësi të fondeve buxhetore që ka në dispozicion, nuk mund të merret si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15 dhe detyrimet që ai krijon për autoritetet përgjegjëse.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në lidhje me diskutimet publike për çështjen e pagave të magjistratëve, Gjykata Kushtetuese vlerëson të nevojshme të sqarojë se për këtë çështje është shprehur tashmë me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026
Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar standardin kushtetues të zbatueshëm, duke evidentuar njëkohësisht detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse. Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të.
Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe është i lidhur ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.
Në këtë kuptim, Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.









