Kaos pas Kuvendit, protestuesit përplasen me policinë

Facebook
WhatsApp

Protesta qytetare e së martës ka marrë një tjetër dinamikë, duke kaluar nga tensionet jashtë Kuvendit në bllokimin e një prej kryqëzimeve kryesore të Tiranës. Disa automjete me deputetë janë qëlluar me vezë dhe shishe uji, ndërsa policia ka shoqëruar disa protestues, mes tyre edhe drejtuesin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Protesta qytetare, e cila këtë të martë shënoi ditën e 101-të, është shoqëruar me tensione pranë Kuvendit dhe më pas me bllokimin e një prej akseve kryesore të kryeqytetit. Situata është përshkallëzuar pas përfundimit të seancës së parë plenare të sesionit të ri parlamentar, kur deputetët kanë nisur të largohen nga godina e Parlamentit.

Protestuesit e grumbulluar pranë Kuvendit kanë pritur daljen e automjeteve të deputetëve, ndërsa disa prej tyre janë qëlluar me vezë dhe shishe uji. Mes automjeteve të përfshira në incidente ka qenë edhe makina ku udhëtonte deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi.

Tensione të tjera janë regjistruar kur një grup protestuesish ka tentuar të lëvizë drejt zonës së pedonales, pranë një qendre tregtare ku dyshohej se disa deputetë kishin parkuar automjetet. Policia ka ndërhyrë duke u kërkuar qytetarëve të largoheshin dhe të mos bllokonin rrugët.

Përmes megafonëve, uniformat blu u kanë bërë thirrje protestuesve të lironin aksin rrugor, duke paralajmëruar se bllokimi i tij përbën vepër penale. Më pas policia ka ndërhyrë për të larguar disa prej tyre nga zona dhe ka shoqëruar disa qytetarë në komisariat.

Mes personave të shoqëruar ka qenë edhe Adriatik Lapaj, drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, si dhe gazetari dhe aktivisti Shpend Gashi. Gjatë ndërhyrjes së policisë janë shoqëruar edhe protestues të tjerë, ndërsa në terren është vënë re një prani e shtuar e efektivëve me uniformë dhe personave civilë.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protesta nuk është shpërndarë. Pas tensioneve pranë Kuvendit, protestuesit kanë ndryshuar itinerarin dhe janë zhvendosur drejt qendrës së Tiranës.

Një grup qytetarësh ka bllokuar kryqëzimin pranë ish-Hotel Dajtit, duke ndalur për disa minuta qarkullimin në një prej segmenteve më të frekuentuara të bulevardit. Protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar arrestimin e tij.

Bllokimi i rrugës ka shkaktuar trafik të rënduar në zonën përreth, ndërsa fluksi i automjeteve është zhvendosur edhe drejt akseve alternative dhe Unazës së Tiranës. Në disa segmente janë krijuar radhë të gjata dhe vështirësi në qarkullim.

Tubimi i së martës ka ndjekur kështu një skenar ndryshe nga protestat e ditëve të mëparshme. Pas përplasjes pranë Kuvendit, protestuesit kanë vijuar marshimin nëpër kryeqytet, duke paralajmëruar se aksioni qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Kjo është dita e 101-të e protestës së vazhdueshme kundër qeverisë, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Pas tensioneve të regjistruara gjatë ditës, pritet që protesta të vijojë edhe në mbrëmje me bllokimin e rrugëve kryesore të Tiranës.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick