Sa larg duhet të jenë karburantet nga ndërtesat e banuara?

Facebook
WhatsApp

Shpërthimi në një karburant në zonën e Bërrylit, ku mbetën të plagosur tre punonjës, rikthen në vëmendje një problem të vjetër të kryeqytetit: praninë e pikave të furnizimit me karburant dhe gaz mes zonave të dendura të banuara. Ngjarja ngre sërish pyetjen nëse rregullat aktuale të sigurisë janë të mjaftueshme dhe, mbi të gjitha, nëse ato zbatohen.

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Bërrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një pikë karburanti. Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ndodhur nga një bombol gazi, ndërsa një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur.

Tre të plagosurit janë transportuar në spital dhe, sipas Policisë së Tiranës, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e plotë të shkaqeve të ngjarjes, ndërsa në zonë janë angazhuar zjarrfikësit dhe mjetet e rënda për largimin e inerteve.

Por përtej shkakut konkret të shpërthimit, ngjarja rikthen një debat më të gjerë mbi vendndodhjen e karburanteve në zonat urbane. Në Tiranë dhe qytete të tjera, pika të tilla gjenden shpesh pranë pallateve, bizneseve dhe institucioneve publike, në zona ku qarkullojnë çdo ditë mijëra njerëz.

Një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2014 përcakton se pikat e karburantit brenda qytetit duhet të respektojnë një distancë prej 30 metrash nga pompat e shpërndarjes deri te perimetri i godinave publike apo ndërtesave ku qëndrojnë më shumë se 50 persona.

Megjithatë, pyetja që ngrihet është nëse kjo distancë është e mjaftueshme për të garantuar sigurinë në një qytet gjithnjë e më të dendur.

Legjislacioni shqiptar parashikon një sërë kërkesash teknike dhe masash sigurie për aktivitetin e pikave të shitjes së karburanteve. Por debati për vendndodhjen e tyre dhe për kontrollin e vazhdueshëm të standardeve mbetet i hapur.

Shpërthimi në zonën e Bërrylit, duhet të shërbejë pikërisht si një kambanë alarmi. Hetimi do të përcaktojë përgjegjësitë për këtë rast, por institucionet duhet të shkojnë përtej reagimit pas ngjarjes dhe të rishikojnë seriozisht hartën e pikave të karburantit në zonat e banuara.

Sepse në një qytet si Tirana, ku dendësia e ndërtimeve dhe e popullsisë është rritur ndjeshëm, çështja nuk është vetëm nëse një karburant ka dokumentet dhe licencën e nevojshme. Pyetja më e rëndësishme është nëse vendi ku ai ndodhet është vërtet i sigurt për njerëzit që jetojnë përreth.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick