Intervista maratonë\Rama mbi protestat dhe kur do ikë nga pushteti

Facebook
WhatsApp

Një intervistë e gjatë ku Rama tentoi të vendoste në perspektivën e tij çështjet që po sfidojnë qeverisjen. Nga drejtësia te protestat dhe projektet strategjike, kryeministri dha versionin e tij për një mandat që po hyn në një fazë të re.

Kryeministri Edi Rama është përballur me rreth 300 pyetje nga gazetarja Rudina Xhunga, në një intervistë maratonë që zgjati më shumë se katër orë dhe preku disa prej temave më të debatueshme të aktualitetit politik shqiptar.

Bashkëbisedimi u zhvillua në kuadër të një bashkëpunimi mes podkastit “Flasim” të Ramës dhe emisionit “Shqip” të Xhungës.

Një prej pikave më të nxehta ishte projekti i Sazanit dhe Zvërnecit, për të cilin Rama mohoi kategorikisht se ishulli po shitet. Sipas tij, investitorët nuk do të marrin pronësinë mbi Sazanin dhe ishulli do të mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri argumentoi gjithashtu se edhe qeveritë e mëparshme, përfshirë ato të Fatos Nanos dhe Sali Berishës, kishin tentuar ta kthenin Sazanin në destinacion turistik.

Rama foli edhe për SPAK-un, duke përdorur një nga gjuhët më të ashpra ndaj institucionit të drejtësisë. Ai kritikoi përdorimin e mediave për të goditur persona që më pas do të merreshin nën akuzë dhe kundërshtoi atë që e konsideron ndërhyrje të gjyqësorit në pushtetet e tjera.

Sipas tij, nuk mund të pranohet që një prokuror dhe një gjyqtar të vendosin për kryeministrin, Parlamentin dhe Presidentin.

Një tjetër temë ishte Bashkia e Tiranës dhe mungesa e Erion Veliajt në drejtimin e saj. Rama e përshkroi situatën si një “eksperiment social, politik dhe ekonomik”, duke argumentuar se kryeqyteti po drejtohet pa një kryetar. Për Veliajn, kryeministri foli në tone të ndryshme, duke e cilësuar atë si një talent të madh politik, por duke shtuar se pushteti është një forcë që ka konsumuar shumë njerëz.

Në intervistë mori një hapësirë të rëndësishme edhe “Revolucioni i Flamingove”, protesta që nisi për çështjen e zhvillimeve turistike në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, por që më pas mori një dimension më të gjerë politik. Rama u përball me pyetje mbi protestat, modelin ekonomik, rishpërndarjen e pasurisë dhe mënyrën se si qeveria e tij e sheh zhvillimin e vendit.

Biseda u zgjerua edhe në politikën e jashtme, me pyetje për Donald Trump, Giorgia Melonin, Aleksandar Vuçiçin, Hashim Thaçin, Recep Tayyip Erdoganin dhe Benjamin Netanyahun. Po ashtu, u prekën emra të rëndësishëm të politikës shqiptare, përfshirë Belinda Ballukun, Arben Ahmetajn dhe Ergys Agasin.

Në fund, Rama foli edhe për veten, nga periudha e rinisë deri te karriera politike dhe raporti i tij me pushtetin. Një prej deklaratave më të komentueshme ishte ajo për largimin e tij nga politika: “Në momentin që unë e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick