Detaje rrëqethëse nga grabitja e Donnarumma dhe partneres së tij

Facebook
WhatsApp

Detaje tronditëse nga grabitja brutale e vitit 2023, ku Gianluigi Donnarumma dhe partnerja e tij Alessia Elefante u sulmuan në apartamentin e tyre luksoz në Paris, janë zbardhur gjatë një seance gjyqësore në kryeqytetin francez.

Ngjarja ndodhi në apartamentin e çiftit në Avenue Montaigne, një prej zonave më të njohura dhe luksoze të Parisit, teksa Donnarumma dhe Elefante po flinin.

Sipas dokumenteve të gjykatës, portieri italian u zgjua nga gjumi pasi njëri prej grabitësve iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Më pas, ai e kërcënoi me thikë dhe i kërkoi të dorëzonte sendet me vlerë.

“Shshsh”, i kishte thënë grabitësi, para se ta godiste, ndërsa më pas i bërtiti: “Ora, ora!”.

Donnarumma u detyrua t’u tregonte grabitësve orën e tij luksoze Audemars Piguet, e cila ndodhej mbi tavolinën e dhomës së zhveshjes. Vlera e sendeve të vjedhura arrinte në qindra mijëra euro.

Por situata u bë edhe më e rëndë kur u zgjua Alessia Elefante, e cila në atë kohë ishte shtatzënë. Ajo u dorëzoi grabitësve orën e saj Cartier, bizhuteritë dhe rreth 2,000 euro para të gatshme.

Megjithatë, grabitësit kërkuan edhe kodin e kasafortës. Kur Elefante u tha se nuk e dinte kodin dhe se kasaforta ishte bosh, ata u tërbuan.

“Pasi thashë se nuk e dija kodin dhe se kasaforta ishte bosh, ata u zemëruan, duke menduar se po gënjeja. Më tërhoqën nga flokët dhe njëri prej tyre më goditi në kofshë. Edhe pse u thashë se isha shtatzënë, ata nuk u ndalën”, ka deklaruar ajo.

Donnarumma më pas ua dha grabitësve kodin e kasafortës, por brenda saj nuk kishte asgjë, ashtu siç kishte deklaruar partnerja e tij.

Pas sulmit fizik dhe pasi çifti u lidh, grabitësit u larguan nga apartamenti duke marrë me vete para, orë luksoze, bizhuteri, çanta të markave të njohura, si dhe çelësat e automjeteve Mercedes dhe Lamborghini.

Hetimi zbuloi gjithashtu mënyrën e pazakontë se si grabitësit kishin hyrë në apartament. Sipas autoriteteve, ata kishin hyrë me forcë duke zbritur nga çatia e ndërtesës.

Ngjarja la të tronditur çiftin, ndërsa detajet e zbardhura tashmë në gjykatë tregojnë për një grabitje të organizuar dhe veçanërisht brutale, e cila ndodhi në një prej zonave më luksoze të Parisit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick