Rama zbulon planin: Katër universitete të reja 

Facebook
WhatsApp

Dy prej universiteteve synohet të nisin mësimin në vitin akademik 2027-2028, ndërsa të katër institucionet parashikohet të jenë funksionale një vit më vonë.

Shqipëria po zhvillon negociata me një rrjet të madh universitar me bazë në Londër për hapjen e katër universiteteve ndërkombëtare në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur në podcast-in “Flasim” se palët synojnë të përfundojnë marrëveshjen brenda këtij viti. Projekti parashikon që shteti shqiptar të vendosë në dispozicion infrastrukturën, ndërsa partneri universitar të angazhohet për stafin akademik.

Një nga institucionet e planifikuara është Universiteti i Mjekësisë në Fier. Sipas Ramës, ai do të ketë profil ndërkombëtar dhe do të synojë të tërheqë studentë nga Shqipëria dhe vende të tjera. Për këtë projekt ka nisur procesi i diskutimeve dhe është hartuar një draft i studimit të fizibilitetit, ndërsa pritet versioni përfundimtar.

Plani përfshin gjithashtu përzgjedhjen e pedagogëve shqiptarë, si brenda vendit ashtu edhe nga diaspora.

Në Vlorë parashikohet ngritja e një universiteti të përgjithshëm, i cili do të jetë më i madhi mes katër institucioneve. Qeveria synon që kampusi të vendoset në qendër të qytetit, në zonën e Sheshit të Flamurit.

Korça është përzgjedhur për një universitet të fokusuar te teknologjia dhe inteligjenca artificiale, ndërsa në Tiranë projekti parashikon hapjen e një universiteti tjetër me profil të përgjithshëm.

Sipas afatit të paraqitur nga Rama, dy nga katër universitetet pritet të nisin aktivitetin akademik gjatë vitit 2027-2028. Objektivi është që në vitin akademik 2028-2029 të katër institucionet të jenë funksionale.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick