Sipas planit, Kualifikueset Evropiane do të ndahen në Ligën 1 dhe Ligën 2. Në Ligën 1 do të përfshihen 36 kombëtaret që bëjnë pjesë në Ligat A dhe B të Nations League, ndërsa Liga 2 do të përbëhet nga 18 ose 19 përfaqësueset e mbetura.
UEFA po shkon drejt një ndryshimi të thellë të kualifikueseve për Kampionatin Evropian dhe Botërorin. Formati i ri parashikon ndarjen e kombëtareve në nivele, ndërsa 36 përfaqësueset e dy ligave të para do të luajnë nga gjashtë ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm.
Detajet përfundimtare pritet të miratohen të martën, më 15 shtator, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Selanik. Pas ndryshimit të formatit të garave për klube, UEFA po përgatitet të zbatojë një filozofi të ngjashme edhe në rrugën e kombëtareve drejt turneve të mëdha.
Koncepti bazë nuk është më vetëm një propozim: UEFA e miratoi atë në parim më 20 maj në Stamboll, pas konsultimeve me federatat anëtare. Sistemi i ri do të zbatohet pas EURO 2028, ndërsa formati i detajuar pritet të marrë miratimin përfundimtar në Selanik.
Sipas planit, Kualifikueset Evropiane do të ndahen në Ligën 1 dhe Ligën 2. Në Ligën 1 do të përfshihen 36 kombëtaret që bëjnë pjesë në Ligat A dhe B të Nations League, ndërsa Liga 2 do të përbëhet nga 18 ose 19 përfaqësueset e mbetura.
Në Ligën 1, 36 kombëtaret do të ndahen në tre grupe me nga 12 skuadra, të përcaktuara nga tre vazo me nga 12 ekipe.
Çdo kombëtare do të zhvillojë gjashtë ndeshje kundër gjashtë kundërshtarëve të ndryshëm, dy nga secila vazo. Ndeshjet do të luhen brenda ose jashtë fushe, sipas një modeli të ngjashëm me atë që UEFA ka futur në kompeticionet e klubeve.
Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për një grup të vetëm prej 36 skuadrash, si në Champions League, por për tre grupe të mëdha me nga 12 kombëtare. Ky është një dallim i rëndësishëm nga formati i kompeticioneve të klubeve.
Edhe Nations League do të ndryshojë. Nga edicioni 2028/29, katër ligat aktuale do të reduktohen në tre liga me nga 18 skuadra. Secila ligë do të ndahet në tre grupe me nga gjashtë kombëtare.
Për kualifikueset, skuadrat më të renditura në secilin grup të Ligës 1 do të sigurojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë, ndërsa vendet e tjera do të përcaktohen përmes një sistemi “play-off”. UEFA ka theksuar se ky mekanizëm do t’u japë mundësi kualifikimi edhe kombëtareve të Ligës 2. Numri konkret i vendeve direkte dhe formula e “play-off”-it do të varen edhe nga turneu përkatës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, e ka argumentuar ndryshimin me nevojën për më shumë ekuilibër dhe ndeshje me peshë. Sipas tij, formati synon të zvogëlojë numrin e takimeve pa rëndësi, ta bëjë garën më tërheqëse për tifozët dhe njëkohësisht të ruajë mundësitë e kualifikimit për të gjitha kombëtaret, pa shtuar data të reja në kalendarin ndërkombëtar.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mblidhet të martën, më 15 shtator, në Selanik, nga ora 09:00 deri në 13:00 sipas kohës lokale. Pas finalizimit të formatit, rruga e kombëtareve evropiane drejt turneve madhore do të ndryshojë ndjeshëm pas EURO 2028.









