Në arrati: Alket Rizai i përfshirë në vrasjen e një 42 vjeçari

Facebook
WhatsApp

Pamjet e kamerave dhe dëshmitë e vendosin Alket Rizain pranë zonës ku u ekzekutua me tre plumba i dënuari Antonis Papadatos në burgun e Domokosit. Hetuesit po verifikojnë rolin e tij në ngjarje.

Alket Rizai, i cili prej disa ditësh është në kërkim nga autoritetet greke pasi nuk u kthye në burg pas përfundimit të lejes, del tashmë edhe në një tjetër dosje të rëndë kriminale që po hetohet në Greqi.

Bëhet fjalë për vrasjen e 42-vjeçarit Antonis Papadatos, i ekzekutuar më 15 shkurt 2026 brenda burgut të sigurisë së lartë në Domokos. Papadatos u qëllua me tre plumba në kokë, ndërsa hetimi për ngjarjen vijon ende.

Sipas materialeve të publikuara nga televizioni grek SKAI, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në burg e vendosin Alket Rizain në zonën ku ndodhi vrasja. Rizai, nga ana e tij, ka mohuar se ndodhej në vendin ku u vra Papadatos.

7 minuta para ekzekutimit

Pamjet e kamerave kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë lëvizjet e personave të përfshirë para vrasjes.

Sipas materialeve të publikuara, Papadatos ndodhej fillimisht në një zonë të përbashkët të repartit D. Më pas, një i burgosur bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm, iu afrua dhe e shoqëroi drejt ndërtesës së administratës.

Në të njëjtën kohë, kamerat regjistrojnë edhe Alket Rizain duke lëvizur drejt së njëjtës zonë.

Më pas, në zonën e administratës shfaqen viktima, i dënuari bullgar dhe shefi i rojeve të burgut. Pamjet tregojnë gjithashtu një takim mes Rizait dhe shefit të rojeve. Grupi më pas lëviz drejt banesës së vjetër të këtij të fundit.

Por pikërisht aty ndodhet një problem i madh për hetimin: zona nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë.

Në këtë “pikë të verbër” ndodhi vrasja.

Papadatos u qëllua tre herë, me një plumb në pjesën e pasme të kokës dhe dy të tjerë në fytyrë, çka ka bërë që autoritetet të shqyrtojnë edhe mundësinë e një ekzekutimi të organizuar.

Dëshmia që përmend Rizain

Një punonjës i burgut ka dhënë një dëshmi që tashmë po shqyrtohet nga hetuesit.

Sipas dëshmisë së publikuar nga SKAI, pas dëgjimit të të shtënave, punonjësi ka parë Alket Rizain duke dalë nga zona ku ndodhi ngjarja.

Ky version bie ndesh me pretendimin e Rizait se nuk ndodhej në vendin e vrasjes.

Bullgari mori përsipër vrasjen

Për vrasjen është akuzuar një shtetas bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili ka marrë përgjegjësinë për të shtënat.

Sipas versionit të tij, Papadatos kishte fshehur një revolver dhe kishte tentuar të sulmonte shefin e rojeve. Bullgari pretendon se ndërhyri për t’i marrë armën dhe se gjatë përleshjes ndodhi të shtënat fatale.

Por hetuesit kanë ngritur pikëpyetje mbi këtë version, veçanërisht për shkak të mënyrës së vrasjes dhe tre plumbave të qëlluar në kokë.

Edhe shefi i rojeve përfundoi në paraburgim

Në kuadër të hetimit është arrestuar edhe ish-shefi i rojeve të burgut të Domokosit, i cili ndodhej në vendin ku ndodhi ngjarja.

Sipas mediave greke, ai ka dhënë dëshmi që përmbanin kontradikta dhe më pas është përballur me masë paraburgimi. Autoritetet po verifikojnë nëse deklarimet e tij përputhen me pamjet dhe provat e mbledhura.

Rizai, në kërkim në Greqi

Emri i Rizait rikthehet në qendër të vëmendjes në një moment kur ai vetë është objekt i një operacioni kërkimi nga policia greke.

Rizai nuk u kthye në burgun e Domokosit më 14 shtator, në përfundim të lejes që kishte marrë. Para zhdukjes së tij, ai ishte përfshirë në një incident me të shtëna në një bar plazhi në Anavyssos. Sipas Kathimerini, kamerat e sigurisë nga ky episod e tregojnë atë duke mbajtur armë dhe duke qëlluar në ajër.

Tashmë, ndërsa policia greke vijon kërkimet për gjetjen e tij, emri i Alket Rizait është rikthyer edhe në dosjen e vrasjes së Papadatos.

Hetimi duhet të përcaktojë nëse Rizai ka pasur rol në ekzekutim apo në përgatitjen e tij. Deri në këtë fazë, përfshirja e tij në vrasje mbetet një pistë e hetimit dhe jo një fakt i provuar.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick