DEA amerikane takim sekret në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, pas rritjes së numrit të shqiptarëve në vendin fqinj.
Në fillim të muajit gusht, përfaqësues të Administratës për Zbatimin e Ligjeve kundër Drogës Amerikane (DEA) u takuan në Buenos Aires me autoritete policore të rajonit. Sipas raportimeve në mediat vendase, ndër temat e trajtuara ishte shqetësimi lidhur me zgjerimin e mafies shqiptare në kontinent.
“Ky grup kriminal evropian u formua në Shqipëri në fillim të viteve ’90 dhe u zhvillua falë lidhjeve me mafien kalabreze, pjesë e së cilës është trafikanti i drogës Rocco Morabito, i arrestuar në Uruguai”, raporton gazeta uruguaiane “Noticias”.
Muajt e fundit është konstatuar hyrja e shtetasve shqiptarë në vend, por shumica e tyre, sipas burimeve policore uruguaiane, kanë ardhur për qëllime turistike, ndërsa disa kanë qëndruar në hotele pranë aeroportit “Carrasco” për shkak të anulimit të fluturimit të tyre.
“Këto lëvizje po monitorohen pasi bëhet fjalë për një kombësi që konsiderohet me rrezikshmëri, por policia thekson se, deri më tani, nuk është konstatuar asnjë aktivitet i këtij grupi kriminal në Uruguai”, shkruan gazeta.
Megjithatë, gazeta thekson se aktivitetet kriminale të lidhura me shqiptarët thuajse kanë qenë inekzistente pas vitit 2022, çka përkon me goditijet e grupeve të mëdha të trafikut të kokainës, pas zbërthimit të aplikacionit “Sky ECC”.
Vëmendja tashmë është përqëndruar te grupet e rrezikshme kriminale me bazë në Malin e Zi si dhe “Karteli i Ballkanit” me lidhje të forta në Serbi.









