Në kulmin e debatit për SHISH dhe skandalit rreth Vlora Hysenit, Rama përballet edhe me shqiptarët në SHBA, ku protestuesit e qëllojnë me vezë dhe e akuzojnë si kriminel.
Kryeministri Edi Rama është përballur me protesta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale, protestuesit shihen duke i hedhur vezë kryeministrit, ndërsa nga turma dëgjohen thirrje dhe epitete të rënda ndaj tij, mes tyre “mafia” dhe “kriminel”.
Në krah të Ramës ndodhej bashkëshortja e tij, Linda Rama, si dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Përballja në SHBA vjen në një moment kur në Shqipëri vijon debati i fortë publik dhe politik rreth Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) dhe skandalit të Vlora Hysenit, çështje që ka nxitur akuza dhe polemika të shumta në skenën politike shqiptare.
“Edi Rama kriminel, e gjithë Shqipëria të urren”, i thonë ata. Kryeministri Rama ndodhet prej ditës së shtunë në Shtetet e Bashkuara, ku sot pritet të jetë një nga folësit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Fjalimi i tij është parashikuar të mbahet në orën 17:00. Nuk dihet se çfarë do të flasë kryeministri, por një nga çështjet më të debatueshme mbetet ajo e dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka shkaktuar revoltë e pakënaqësi në mesin e shqiptarëve.









